Prishtinë, 27 tetor 2025
Pilotit të helikopterit të Forcave Ajrore të Kroacisë (HRZ), J. I. nga Spliti, i është hequr masa e paraburgimit, ndërsa e dashura e tij, A. M. nga Mitrovica e Kosovës, vazhdon të qëndrojë në burg hetimor. Këtë e kanë konfirmuar për portalin 24sata burime nga Gjykata e Qarkut në Split.
“J. I.-së i është hequr paraburgimi dhe i janë caktuar masa sigurie, ndërsa nesër do të vendoset për vazhdimin e paraburgimit të të pandehurës A. M.”, kanë bërë të ditur nga gjykata, raporton mediumi kroat dnevno.hr
Si masë sigurie ndaj pilotit është vendosur ndalimi i kontaktit me një nga dëshmitarët, i cili ende nuk është marrë në pyetje. Nga Ministria e Mbrojtjes është konfirmuar më herët se pas incidentit piloti është larguar nga ushtria.
Dyshime për spiunazh në favor të Serbisë
Piloti dhe partnerja e tij dyshohen për spiunazh në favor të Serbisë. Sipas gazetës Slobodna Dalmacija, hetimet nisën pasi çifti u arrestua në Vis, ku ndodheshin me pushime. Edhe pse arsyet e para të ndalimit nuk u bënë publike, piloti u lirua shpejt pas marrjes në pyetje.
Ndërkohë, A. M. kishte marrë vendim për t’u vendosur në Qendrën Tranzitore për të Huaj në Trilj, pas së cilës duhej të dëbohej nga Kroacia për një periudhë 10-vjeçare. Por më vonë, pas kontrollit të telefonave të tyre, hetuesit gjetën komunikime që tregonin për shpërndarje të informacionit të ndjeshëm te politikanë serbë.
Bëhet fjalë për të dhëna që piloti J. I. i kishte mbledhur gjatë shërbimit në Kosovë si pjesëtar i kontingjentit kroat (HRVCON) brenda misionit paqeruajtës të NATO-s – KFOR. Pas këtyre zbulimeve, çifti u arrestua sërish.
Informacionet e ndara për KFOR-in
Sipas burimeve jozyrtare, A. M. ka marrë nga partneri i saj të dhëna për lëvizjet dhe planet e forcave të KFOR-it në veriun e Kosovës. Këto informacione, sipas hetuesve, ajo ia ka përcjellë drejtuesve të partisë Lista Serbe – partia kryesore e komunitetit serb në Kosovë, e njohur për lidhjet e ngushta me qeverinë në Beograd.
Dyshohet se komunikimet janë bërë përmes aplikacionit WhatsApp, ku përmendet edhe një gazetar i një agjencie ndërkombëtare lajmesh që mund të ketë marrë pjesë të këtyre të dhënave.
Hetuesit kanë identifikuar të paktën katër raste të ndarjes së të dhënave sekrete, përfshirë një që lidhet me aktivitetet e KFOR-it në komunën e Zubin Potokut – zonë e njohur për tensione të shpeshta midis serbëve lokalë dhe autoriteteve të Kosovës.

Gjendet municion në varrezën masive në Zubin-Potok
Investim prej 3.7 milionë eurosh për modernizimin e rrugës Livadhet e Istogut–Mokna
Kurti emëron një ish-ushtar të UÇK-së, në krye të Komisionit për Persona të Zhdukur
Serbia arreston një person për zbulim të informatave për varreza masive, Hoti: E vërteta nuk fshihet
Nis gjykimi në mungesë ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte në Reçak
Serbia vazhdon diskriminimin, asnjë shqiptar nga Lugina e Preshevës mes 400 zjarrfikësve të punësuar së fundi
Më 6 gusht seanca e Kuvendit, Haxhiu iu dërgon ftesë deputetëve të zgjedhur