Diplomatët dhe njohësit e sigurisë, vlerësojnë se misioni i UNMIK-ut në Kosovë është i tejkaluar dhe nuk ka më funksion të nevojshëm për stabilitetin dhe sovranitetin e vendit.
Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, vlerëson se misioni i UNMIK-ut në Kosovë ka humbur funksionin dhe është bërë një relikt që nuk shërben më për institucionet e vendit.
Ai thotë se UNMIK-u nuk ka asnjë veprim konkret ekzekutiv, policor apo gjyqësor dhe i konsideron ndërhyrjet e tij të tejkaluara pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Në fakt nëse mund ta themi në mënyrë lapidare që më në fund kushtet për me u largu UNMIK janë plotësuar menjëherë me shpalljen e pavarësisë dhe siç ka qenë atëherë e paraparë në planin e Ahtisarit 120 ditë tranzitore. Por ka qenë Rusia e cila e ka vështirësuar punën e Kosovës dhe të perëndimit insistojnë që të mbetet në fuqi kjo rezolutë. Mendoj fakti që UNMIK-u nuk ka as një veprim konkret ekzekutiv, as policor, as gjyqësor. UNMIK-u është faktikisht një relikt i vjetër, një administratë që gëlltit taksapaguesit e antarëve të OKB-së. Parë nga kjo perspektivë, mendoj që duhet të shndërrohet në një zyrë përfaqësuese të OKB-së në Kosovë, e cila do të ndërtonte një komunikim krejt tjetër”, tha Ukshini.
Ai shtoi se përfitimet nga largimi i UNMIK-ut do të jenë të dukshme.
“Kjo tregon që Kosova edhe një herë konfirmohet që është shtet i pavarur, qeveriset vetë, është e aftë ta administrojë pushtetin vetë. Ne e kemi këtu edhe një mision të EULEX-it, i cili ka ardhur gjoja për t’i ndihmuar institucionet e Kosovës, por është edhe ky një mision krejt kot, në fakt Kosova nuk ka nevojë pos për prezencën ushtarake të KFOR-it, për të tjerat prezenca nuk ka nevojë”, tha Ukshini.
Nga ana tjetër, drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, theksoi se UNMIK-u ka humbur funksionin dhe ka shërbyer kryesisht interesave juridike të Serbisë kundër Kosovës.
“Kosova nuk ka nevojë më tutje për UNMIK-un, UNMIK i takon historisë për shkak se kjo është paradoksale në qoftë se kemi parasysh faktin që nga 17 shkurti 2008 Kosova e ka shpallur pavarësinë dhe realisht misioni i UNMIK, jo vetëm që i shërben luftës juridike ndërkombëtare të Serbisë kundër Kosovës, por aq më tepër është një mision i cili nga raportimet e fundit është përfshirë edhe nga korrupsioni e nepotizmi e aferave të tjera, për shkak se nuk ka asnjë logjikë që të jetë aktiv më tutje duke u bazuar në rezolutën e tejkaluar të Këshillit të Sigurimit 1244”, tha ai.
Fetoshi nënvizoi se prania e UNMIK-ut pas shpalljes së pavarësisë përbën ndërhyrje në sovranitetin e Kosovës.
“Do të ishte elementi më i rëndësishëm në drejtim të konsolidimit të shtetit të Kosovës, për shkak se UNMIK është bazuar në një rezolutë e cila tashmë është tejkaluar. Mandati i UNMIK në Kosovë lidhet me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe pas shpalljes së pavarësisë praktikisht UNMIK në Kosovë është një ndërhyrje në sovranitetin e Kosovës”, tha ai.
Më 21 tetor, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së është diskutuar për Kosovën, ku SHBA-ja dhe disa vende të tjera kanë deklaruar se misioni i UNMIK-ut nuk është më i nevojshëm dhe po shpenzon shumë pa pasur ndikim real në Kosovë.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Rusia e zhvendos luftën përtej frontit, sa e përgatitur është Kosova për kërcënimet hibride?
Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit