Prishtinë, 11 tetor 2025
Nënkryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, njëherësh kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, në një konferencë për media ka folur për kërcënimet dhe shantazhet që ka marrë nga disa persona në Serbi.
Ai ka treguar se si bashkëpunëtorët e tij kanë pranuar telefonata me numër të Serbisë, ku në mënyrë kërcënuese dhe urdhëruese është kërkuar takim me ta.
“Më 24 korrik, një person me numër të Serbisë ka telefonuar bashkëpunëtorët e mi, duke u prezantuar si bashkëpunëtor i BIA-s, dhe u ka dhënë ultimatum që të vijnë në Beograd brenda dy ditëve, siç është shprehur ai, ‘për të mirën e tyre’. Zëri i tij ka qenë kërcënues dhe urdhërues. Sigurisht që askush prej bashkëpunëtorëve të mi nuk ka shkuar në atë takim. Pas kësaj, diku në fillim të gushtit, i njëjti person ka dërguar një mesazh, ku thuhej: ‘Nuk keni dashur të bashkëpunoni, tash do t’i publikojmë disa materiale kompromentuese’,” ka deklaruar Rashiq.
Sipas tij, një portal më pas ka marrë dhe publikuar materialin e incizuar.
Rashiq tha se ka njoftuar organet kompetente, të cilat tashmë po merren me rastin.
“Gjatë dhjetë ditëve të fundit, një portal ka publikuar disa të ashtuquajtura incizime, të cilat nuk janë relevante, por gënjeshtra dhe të montuara. Edhe gjatë zgjedhjeve nacionale kemi pasur një rast të ngjashëm, për të cilin e kemi njoftuar policinë – konkretisht njësinë për krime kibernetike. Siç e dini, atëherë më janë bllokuar dy profile në Facebook, ku janë publikuar materiale lidhur me punën time në ministri. Pra, ashtu si atëherë, edhe kësaj here, dy javë para zgjedhjeve, po ndodh e njëjta gjë. Jam i vetëdijshëm se kjo nuk do të ndalet dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sepse ne nuk i nënshtrohemi mendësisë diktatoriale të disa njerëzve që përpiqen të na kontrollojnë. Ne, si ministri, do të jemi transparentë dhe të përgjegjshëm ndaj të gjithëve,” ka shtuar ai.
I pyetur nëse zëri që dëgjohet në incizim është i tij, Rashiq tha se në fillim të bisedës zëri mund të tingëllojë si i tij, por në të vërtetë nuk është.
Ai është i bindur se incizimet janë të montuara dhe se organet kompetente do ta konfirmojnë këtë konstatim.
Në fund të konferencës, Rashiq pati edhe një mesazh për qytetarët serbë:
“Ata që për arsye të ndryshme nuk jetojnë më në Kosovë, por ende kanë dokumente të Kosovës, i lus – dhe do të jem pak më i rreptë – mos ia shisni shpirtin djallit për 50 euro. Ato 50 euro që merrni nënkuptojnë katër vjet të vështirë për ne. Prandaj, nëse vini të votoni Listën Serbe për 50 euro, më mirë mos ejani fare. Përndryshe, në çdo ditë tjetër jeni të mirëseardhur si miq, familjarë dhe të afërm tanë. Gjithashtu, i mirëpresim me kënaqësi të gjithë ata që duan të kthehen në Kosovë, por ju lus mos ua shkatërroni jetën atyre që duan dhe jetojnë këtu për arsye të tjera,” ka përfunduar Rashiq.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit
Mbi 2 mijë të mbijetuar me status zyrtar, drejtësia mbetet sfidë
Emrat e të dyshuarve: Serbë që dyshohet se morën pjesë në krime lufte
Troja Bicurri triumfon në “Akordet e Kosovës”, vlerësim për brezin e ri