Prishtinë, 6 tetor 2025
“Jemi këtu për të vlerësuar përpjekjet tona për ngritjen e cilësisë në arsim dhe për të rikonfirmuar se arsimi dhe edukimi i brezave të rinj mbetet prioritet qeveritar dhe shtetëror”. Kështu u shpreh Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në hapje të punëtorisë njëditore me inspektorët e arsimit, me temën “Praktikat e mira për inspektim efektiv”, e organizuar nga Inspektorati i Arsimit.
Kurit rikujtoi se për një kohë të gjatë, Inspektorati i Arsimit ka funksionuar me vetëm 25 inspektorë, një numër që nuk përputhet me madhësinë, rëndësinë dhe nevojat e institucioneve arsimore në vend, përfshirë shkollat, kopshtet dhe çerdhet.
Megjithatë, pavarësisht këtij realiteti sfidues, ai vlerësoi përkushtimin e inspektorëve për të mbajtur gjallë funksionin e njërit prej mekanizmave më të rëndësishëm të sistemit arsimor.
“Përpjekjet e Qeverisë sonë dhe të MASHTI-t për forcimin e kapaciteteve të Inspektoratit të Arsimit nuk janë ndalur asnjëherë. Si rezultat i këtij angazhimi, kemi pranuar 22 inspektorë të rinj, të cilët do t’i japin sistemit tonë arsimor më shumë mbështetje dhe prani në terren”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, gjatë këtyre viteve, investimet në sektorin e arsimit kanë qenë të vazhdueshme duke përfshirë ndërtimin dhe renovimin e shkollave dhe çerdheve, pajisjen e tyre me infrastrukturë moderne dhe zhvillimin profesional të mësimdhënësve.
“Sa më i fortë të jetë themeli i sistemit arsimor, aq më e lehtë bëhet edhe puna e inspektimit. Roli i Inspektoratit nuk është të ndëshkojë, por të udhëzojë dhe të përkrahë institucionet arsimore në rrugëtimin e tyre drejt cilësisë” theksoi Kurti.
Ndërsa, ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka theksuar rëndësinë e Inspektoratit të Arsimit si shtyllë kryesore të zbatimit të politikave arsimore dhe garantues të standardeve në institucionet arsimore në Kosovë.
“Gjatë kësaj periudhe, numri i inspektorëve është rritur nga 25 në 47, duke u afruar pothuajse në dyfishim. Kjo rritje e stafit synon të mundësojë mbikëqyrje më të afërt dhe të vazhdueshme të institucioneve arsimore, si dhe të sigurojë mbështetje më të mirë dhe inspektime më të detajuara për zbatimin e standardeve cilësore”, tha ajo.
Me emërimin e drejtoreshës së re të Inspektoratit, ministrja Nagavci shprehu pritjen që puna të organizohet më mirë dhe me efikasitet më të madh.
“Një nga arritjet e rëndësishme gjatë këtij mandati është realizimi i vlerësimit të performancës së mësimdhënësve, në lidhje me nivelin e licencës së avancuar. Kjo fazë është shumë e rëndësishme për avancimin profesional të stafit arsimor, përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies në shkolla dhe rritjen e pagave bazuar në performance”, tha ajo.
Nagavci po ashtu përmendi rezultatet pozitive të arritura përgjatë këtij mandati dhe shprehu optimizëm për vazhdimësinë e përmirësimit të cilësisë në arsimin tonë.

Haxhiu në konferencën, “Future Makers: Girls in ICT”: Çdo vajzë që ecën përpara, e çon edhe Kosovën përpara
Themelohet Garda për Mbrojtjen e Natyrës, Kurti: Shteti nuk do të tolerojë më degradimin e mjedisit
Inspektohen 110 vendpunishte, Azemi: Gjobat ndaj pronarëve duhet të ashpërsohen
Haxhiu: Duhet të përmbyllet sa më shpejt procesi për kryeprokurorin e shtetit
Kurti-Whitaker: Miqësia Kosovë-SHBA mbetët e fuqishme
Nën shoqërinë e policisë, Trepça rrënon objektet pa leje në parcelën e saj në Mitrovicë të Veriut
Gjermania, një nga aleatët e zhvillimit të FSK-së sipas standardeve të NATO-s
Komisioni për Punë të Jashtme i jep “dritën e gjelbër” Marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes