Prishtinë, 3 tetor 2025
Shkruan: Boris Varga
Para zgjedhjeve parlamentare, autoritetet e Moldavisë arrestuan më shumë se 70 persona, të dyshuar se ishin angazhuar nga Rusia për të organizuar trazira masive gjatë procesit zgjedhor. Të arrestuarit ishin shtetas moldavë që nga korriku deri në shtator u trajnuan në Serbi për përdorimin e armëve dhe për përplasje me policinë, ndërsa plani i trajnimit ishte i koordinuar nga Federata Ruse.
Rrjeti hulumtues BIRN jep detaje se trajnimi në një kamp paramilitar në Serbi, pranë Loznicës, u zhvillua nga instruktorë nga Rusia dhe Bjellorusia dhe se më shumë se 150 persona kaluan këtë trajnim.
Kjo nuk është hera e parë që Serbia përmendet si vend prej nga Rusia dhe shërbimet e saj sekrete veprojnë për të ndikuar në situatën e sigurisë dhe politike në Moldavi. Një situatë shumë e ngjashme ndodhi vitin e kaluar gjatë zgjedhjeve presidenciale, kur autoritetet e Moldavisë arrestuan tetë persona të dyshuar se ishin trajnuar në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë për të shkaktuar trazira masive, ndërsa instruktorët e tyre kishin lidhje me grupin rus të mercenarëve Wagner. Edhe atëherë zhvillohej një garë e tensionuar zgjedhore mes kandidatit pro-rus Aleksandër Stojanoglu dhe kandidates pro-BE Maja Sandu, e cila fitoi.
Serbia dhe regjimi i personalizuar i presidentit Aleksandër Vuçiq në qarqet perëndimore, veçanërisht ato të BE-së, konsiderohen si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, faktet tregojnë të kundërtën. Moska dhe Beogradi minojnë sistematikisht stabilitetin politik dhe të sigurisë në të paktën pesë shtete të Evropës Juglindore.
Bosnje e Hercegovina dhe Kosova
Edhe pse Aleksandër Vuçiq përsërit se Beogradi mbështet Marrëveshjen e Dejtonit dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës, Këshilli Kombëtar i Sigurisë i Serbisë, në krye të të cilit është presidenti i Serbisë, kohët e fundit mori vendim për të mos njohur aktgjykimin kundër presidentit të Republikës Serbe, Milorad Dodik, për veprimtari antikushtetuese.
Refuzimi zyrtar i këtij vendimi është një nga shembujt më të qartë të nënçmimit të Marrëveshjes së Dejtonit dhe mbështetjes ndaj separatizmit të Dodikut nga ana e Beogradit zyrtar.
Në Ballkanin Perëndimor, Milorad Dodik njihet si politikani më besnik ndaj Moskës. Serbia ndjek Rusinë dhe ka një qëndrim ambivalent ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës. Moska deklarativisht mbështet Marrëveshjen e Dejtonit, në të cilën është edhe vetë pjesëmarrëse, por njëkohësisht minon procesin duke mbështetur aspiratat separatiste të Dodikut.
Në fund të shtatorit 2023, në veri të Kosovës, në fshatin Banjskë, një grup i armatosur nga Serbia shkaktoi një përleshje të armatosur. Grupi ishte i veshur me uniforma dhe i pajisur mirë me armë dhe pajisje ushtarake që i posedojnë forcat e sigurisë së Serbisë fqinje. Në përleshje u vranë një polic kosovar dhe tre persona nga ana serbe.
Grupi i armatosur serb, i udhëhequr nga biznesmeni dhe politikan kontrovers Milan Radoiçiq, kishte për qëllim bllokimin e rrugëve dhe shkaktimin e përplasjeve në veri të Kosovës.
Ky është sulmi më serioz i organizuar i armatosur në Kosovë që nga ardhja e forcave ndërkombëtare të paqes në vitin 1999. Kjo veprimtari terroriste, siç e përcaktoi gjykata në Prishtinë, nuk mund të ishte kryer pa dijeninë e shërbimeve të sigurisë të shtetit fqinj, Serbisë.
Maqedonia dhe Mali i Zi
Gazetarët hulumtues në mes të vitit 2017 publikuan materiale mbi ndikimin e Rusisë në Maqedoninë e Veriut (atëherë ende e quajtur Maqedoni), që sipas tyre “kalon përmes Beogradit”. Dokumentet e shërbimeve sekrete maqedonase pohonin se agjentë rusë në Maqedoni veprojnë nën kontrollin e një qendre të spiunazhit rus në Beograd.
Po ashtu thuhej se kishte një përpjekje dekadash nga spiunët dhe diplomatët rusë përmes përhapjes së propagandës dhe ndikimit të tyre në Maqedoni për të penguar hyrjen e shtetit në NATO dhe për ta larguar atë nga Perëndimi.
Maqedonia u bë anëtare e NATO-s, ndërsa ish-kryeministri Nikola Gruevski, i afërt me interesat ruse në rajon, pasi u dënua për korrupsion, u arratis në Hungari ku mori azil politik.
Modeli më i ngjashëm me veprimtarinë ruse në Moldavi ishte përpjekja për grusht shteti në Mal të Zi në ditën e zgjedhjeve parlamentare në tetor 2016. Në atë kohë, një grup shtetasish serbë, malazezë dhe rusë planifikuan, sipas vendimit të shkallës së parë të Gjykatës së Lartë në Podgoricë, “rrëzimin me dhunë të pushtetit në Mal të Zi për të penguar anëtarësimin e këtij vendi në NATO”.
Në procesin e shkallës së parë, 13 persona u dënuan me afro 70 vjet burg për tentativë terrorizmi. Midis tyre ishin edhe udhëheqësit e Frontit Demokratik opozitar pro-serb dhe pro-rus Andrija Mandiq dhe Milan Knezheviq, si dhe ish-gjenerali i xhandarmërisë Bratislav Dikiq nga Serbia fqinje.
Nënçmimi i proceseve evroatlantike
Nga të dënuarit, dënimin më të lartë e morën shtetasit rus Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, të cilët nuk ishin të dorëzueshëm për drejtësinë e Malit të Zi. Ata u identifikuan si oficerë të shërbimit ushtarak të inteligjencës ruse (GRU) dhe u dënuan për krijim të organizatës kriminale dhe tentativë terrorizmi.
Mali i Zi u bë gjithashtu anëtar i NATO-s. Megjithatë, pas “puçit politik me liturgjitë kishtare”, i organizuar me mbështetjen e Serbisë fqinje dhe Kishës Ortodokse Serbe, si dhe Rusisë dhe Kishës Ortodokse Ruse, të gjithë të dënuarit në rastin e “grushtit të shtetit” në Mal të Zi u liruan nga burgu.
Që nga ardhja në pushtet e SNS-së dhe Aleksandër Vuçiçit në Serbi, ideja e “botës serbe” po përhapet në të gjithë Ballkanin Perëndimor – në Bosnje dhe Hercegovinë, në Republikën Srpska dhe në Mal të Zi.
Koncepti i “botës serbe” u krijua sipas modelit të “botës ruse” dhe është një ide ekspansioniste për mbështetjen e bashkëkombësve, të cilën Putin e përdori për të sulmuar ushtarakisht Ukrainën në shkurt 2022.
Në të njëjtën kohë, ndërsa Serbia dhe Rusia në dekadën e fundit po destabilizojnë aktivisht aspiratat evroatlantike të fqinjëve dhe shteteve të rajonit dhe përpiqen të ringjallin idenë e madhe serbe, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ofron Beogradin si vend për dialog për të gjitha konfliktet në botë.
Oferta kaq cinike e Serbisë është e mundur vetëm në kushte kur Perëndimi i mbyll sytë para autoritarizmit të Aleksandër Vuçiçit dhe toleron praninë e thellë ruse në Serbi.

Serbia po e nxit “anti-normalizimin” me luftë narrative kundër Kosovës
Kuvendi sot me seancë të jashtëzakonshme për çmimin e energjisë elektrike
Kurti për mediumin katalunas: Spanja s’duhet ta barazojë rastin e Kosovës me tensionet e saj territoriale, Serbia kreu gjenocid
Kos thotë se ka zhvillime “inkurajuese” lidhur me pesë shtetet që s’e njohin Kosovën
Kurti: Kosova e përkushtuar për anëtarësim në BE, themelohet Task -Forca
Qeveria miraton tri protokollet e CEFTA-s
Arrestohet dy shtetas të Serbisë për kalim ilegal të kufirit
Komisioni për Legjislacion miraton projektligjin për “çmimet tavan”
Ambasadori amerikan në NATO viziton Kosovën, Policia njofton se disa rrugë do të bllokohen përkohësisht
Nafta më lirë sot në Kosovë, benzina dhe gazi mbeten njëjtë