Prishtinë, 24 shtator 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtues të institucioneve të sigurisë e deputetë të Kuvendit, vizitoi sot familjen Bunjaku, për të vazhduar pastaj bashkë me zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimin, anëtarë tjerë të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit dhe me familjarë të Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, për homazhe te varri tij, në dyvjetorin e rënies në Basnjkë të Zveçanit.
Duke kujtuar rënien heroike të rreshterit Afrim Bunjaku, kryeministri Kurti tha se ishte një rënie, e cila e ngriti Republikën e Kosovës, shtetin tonë të pavarur edhe së brendshmi, por edhe në reputacionin e saj ndërkombëtar, sepse kemi të bëjmë me një shtet, i cili i del zot vetvetes dhe, i cili ka policë që sakrifikohen për të mbrojtur qytetarët pa dallim, duke e mirëmbajtur rendin publik dhe sundimin e ligjit.

“Tash, të gjithë ne bashkë, jemi pjesë e familjes Bunjaku, të bashkëshortes Lumnije, të fëmijëve, Arbenitës, Jetlumit e Fatlumit, sepse Afrim Bunjaku i përket Republikës së Kosovës dhe gjithë popullit, që do ta mbajë për jetë e mot në zemrat e veta këtë hero të Kosovës”, u shpreh kryeministri Kurti.
Ai u bëri thirrje faktorëve ndërkombëtarë, që të mos e konsiderojnë Serbinë shtet normal, përderisa ajo nuk i dorëzon kriminelët e Serbisë, të organizuar dhe udhëhequr nga Millan Radojçiq dhe të financuar e të mbështetur nga Beogradi zyrtar dhe presidenti atje, Aleksander Vuçiq.

“Aktakuza i përfshinë 45 persona. Këta duhet të dorëzohen menjëherë shtetit të Kosovës, ku ka aktakuzë për ta dhe panumër fakte e argumente për përfshirjen e tyre në këtë vrasje të Afrim Bunjakut dhe në këtë sulm agresor e terrorist të tyre. Në të njëjtën kohë, duhet të theksojmë edhe faktin tjetër, që kjo është një betejë e fituar nga Policia e Kosovës për Republikën e Kosovës dhe gjithë qytetarët pa dallim.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se një ditë si kjo para dy vitesh që filloi si jashtëzakonisht e rëndë, por edhe e dhimbshme, përfundoi ndër më krenaret në historinë e Republikës së Kosovës.
“Lavdi Afrim Bunjakut! Lavdi të gjithë dëshmorëve të Republikës së Kosovës, e mirënjohje pafund për të gjithë ata që sollën që kjo ditë me të vërtetë të mbetet ditë e shënuar ku integriteti dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës veçse u forcuan”, tha ministri Sveçla.
Në këtë përvjetor, sot nga ora15:00, në Prishtinë do të organizohet akademi përkujtimore në nderim dhe kujtim të heroit Afrim Bunjaku.

Vrasje, trajtim çnjerëzor, shkatërrim i pasurisë dhe spastrim etnik – Dosja e Prokurorisë Speciale ndaj 5 të arrestuarve për masakrën e Reçakut
Kurti: Arsimi gjithëpërfshirës është investim për një shoqëri më të drejtë
Një muaj paraburgim për 16-vjeçarin për vrasjen në Kobaj të Prizrenit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike apelon për vaksinimin e fëmijëve pas rasteve me fruth në Kosovë
Prokuroria kërkon që lënda ndaj Çedomir Aksiqit të bashkohet me atë ku akuzohet bashkë me 20 të tjerë për masakrën e Reçakut
FSK dhe FARSH trajnohen për veprime të përbashkëta
Rritet interesimi i të rinjve për FSK, 234 aplikime për 44 vende
SHBA-ja dhe Irani nënshkruajnë memorandumin për t’i dhënë fund luftës katërmujore