Prishtinë 20 Shtator 2025
Deklarimet e fundit nga ana e ministrit të Jashtëm serb për lobim kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, po vlerësohen nga ekspertët e politikës si propagandë për konsum të brendshëm politik. Politologët theksojnë se çnjohja nuk ekziston si akt diplomatik dhe këto deklarime synojnë vetëm të fuqizojnë retorikën politike brenda Serbisë.
Analistët politikë në Kosovë kanë komentuar deklarimet e ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq, lidhur me lobimin kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se këto veprime janë kryesisht propagandë dhe për konsum politik brenda Serbisë. Politologu Melazim Koci tha për Radio Kosovën se çnjohja nuk ekziston si akt diplomatik në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe nuk është befasi që Serbia po intensifikon veprimet në arenën ndërkombëtare.
“ Ato do të intensifikohen sidomos nëse qeveria në Beograd nuk arrin të mposhtë lëvizjen studentore. Serbia po shkel marrëveshjen franko-gjermane, të cilën e ka hedhur poshtë përmes një letre zyrtare, dhe BE-ja nuk ka reaguar në mënyrë sanksionuese. Megjithatë, kjo është më shumë propagandë për konsum të brendshëm, sepse çnjohja si akt diplomatik nuk njihet në marrëdhëniet ndërkombëtare”, ka thënë Koci.
Analisti Albinot Maloku kujtoi se marrëveshjet e arritura nga viti 2011 e këtej obligojnë Serbinë që të mos lobojë kundër Kosovës.
“Edhe pse çnjohja nuk njihet si akt në të drejtën ndërkombëtare, ajo përdoret për konsum politik. Ka shkelje të marrëveshjeve nga ana e Serbisë, prandaj Kosova duhet të angazhohet maksimalisht me BE-në për të gjetur mekanizma që tregojnë qartë se kush është pala shkelëse”, ka deklaruar Maloku.
Ndërsa, profesori universitar, Dritëro Arifi, shtoi se Serbia punon pandërprerë për ta dëmtuar Kosovën në arenën ndërkombëtare, por këto veprime nuk kanë ndikim të drejtpërdrejtë.
“Në këtë kohë kur do të duhej të kishim marrëdhënie të mira me SHBA –në dhe BE-në, ne po tallemi dhe këto janë pasojat që na presin” , ka thënë Arifi për Radio Kosovën.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar se Serbia prej vitesh punon për të ndryshuar qëndrimin e një pjese të komunitetit ndërkombëtar ndaj Kosovës dhe ka përgatitur “befasi të tjera” lidhur me fushatën për çnjohje.
Sipas Marrëveshjes për Normalizim të nënshkruar në Bruksel, Serbia është zotuar të mos kundërshtojë dhe të mos lobojë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Biserko: Zbulimi i varrezave të reja masive hap çështjen e përgjegjësisë së Serbisë për krimet në Kosovë
Haxhiu: Dyshimet për varrezën e dytë masive rikujtojnë krimet e luftës në Kosovë
Komisioni për të Zhdukurit: Dyshimet e lidhin varrezën në Kalludër me 23 intelektualët e Mitrovicës
Prokuroria Speciale: Dyshohet për mbetje mortore në Jabukë të Zubin Potokut
Nga jeta në zhdukje – rrëfimi për 23 civilët e vrarë dhe groposur fshehtas
Koci: Edhe një qytetar i Kosovës ndalohet nga autoritetet serbe
Hapja e konsullatës serbe në Shkodër, banorët në protestë: I kemi të freskëta plagët, kemi vuajtur shumë
Asllani drejt Premier Ligës, kërkohet nga Hull City
Treni godet për vdekje një person në Pejë