Prishtinë, 14 shtator
Në shumicën e vendeve të botës është shënuar sërish një përkeqësim dhe kërcënim ndaj demokracisë, ndërsa Serbia renditet në mesin e listës së zhvillimit demokratik nga gjithsej 173 vende që janë analizuar nga Instituti Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore (IDEA).
Sipas IDEA-s, vendet perëndimore kryesojnë në përmirësimin e elementeve kyçe të demokracisë, si sundimi i ligjit, ndërsa në Ballkan, Sllovenia ka një ecuri dukshëm më të mirë, e ndjekur nga Kroacia dhe Mali i Zi, ndërsa Serbia dhe vendet e tjera të rajonit qëndrojnë edhe më poshtë.
Sekretari i përgjithshëm i IDEA-s, Kevin Kasas-Samora, deklaroi se “demokracia është nën sulmin e një stuhie të keqe, të karakterizuar nga një valë autokracie dhe pasiguri të theksuar për shkak të ndryshimeve të mëdha shoqërore dhe ekonomike”.
Ky institut ndërqeveritar me seli në Stokholm thekson në studimin e tij se në vitin 2024 ka ndodhur përkeqësimi më i madh në 50 vjet sa i përket lirisë së mediave.
Në raport theksohet se është vërejtur një regres shqetësues edhe në fusha të tjera kyçe si pavarësia e gjyqësorit dhe besueshmëria e zgjedhjeve, sidomos në pesë vitet e fundit që nga analiza e mëparshme e IDEA-s.
Në krye të listës për zhvillim demokratik janë vendet e Evropës Perëndimore, Japonia dhe Australia, ndërsa një përparim i lehtë është vërejtur edhe në SHBA. Brazil, Kili dhe Uruguai kanë shënuar gjithashtu përparim.
Sipas studimit, Serbia ka rezultate dukshëm më të dobëta se mesatarja në fushat e përfaqësimit demokratik, zgjedhjeve të ndershme dhe mbikëqyrjes efektive parlamentare, duke u renditur në mes të të gjitha kategorive.
Analiza vëren se në periudhën 2019–2024, Serbia ka përjetuar një përkeqësim të rëndësishëm sa i përket zgjedhjeve të besueshme, funksionimit të parlamentit dhe lirive qytetare (liria e shoqërimit, tubimit dhe lëvizjes).

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Rusia e zhvendos luftën përtej frontit, sa e përgatitur është Kosova për kërcënimet hibride?
Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit