Prishtinë, 07 shtator 2025
Njohësit e çështjeve të drejtësisë vlerësojnë se paraqitja e provave nga mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së do të ketë “peshë të veçantë” dhe “të rëndësishme” në proces.
Mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të nisë paraqitjen e provave për rastin e saj më 15 shtator. Trupi gjykues ka shprehur se koha e kërkuar nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi për paraqitjen e provave dhe dhënien e dëshmive është e gjatë, afërsisht 150 orë.
Për dallim nga proceset e mëparshme dhe dëshmitë e dhëna deri tani, kjo fazë e re ndaj ish-krerëve të UÇK-së, sipas njohësve të çështjeve të drejtësisë, pritet të ketë ndikim pozitiv.
Avokati i akredituar në Dhomat e Specializuara për Kosovën, Artan Qerkini, ka deklaruar për Albanian Post se dëshmitë e thirrura nga mbrojtja pritet të kenë “peshë të veçantë” në proces.
“Mbrojtja ka thirrur dëshmitarë kredibilë, pikërisht për shkak të personalitetit të tyre dhe funksioneve që kanë mbajtur më parë. Ne besojmë se dëshmitë e tyre do të kenë peshë të veçantë në proces dhe do të kontribuojnë në pasqyrimin sa më të drejtë të rrethanave”, ka thënë Qerkini për AP.
Në linjë të ngjashme me Qerkinin, është shprehur edhe njohësi i çështjeve të drejtësisë, Ardian Bajraktari.
Bajraktari, në një përgjigje për Albanian Post, ka vlerësuar se roli i palës mbrojtëse “është tejet i rëndësishëm”.
“Lista e dëshmitarëve që është konfirmuar për të dëshmuar në këtë proces është shumë kredibile dhe besoj se do të ndikojë dukshëm në konstatimin e së vërtetës. Ajo tashmë është e ditur: se UÇK-ja nuk ka kryer krime dhe nuk ka pasur një strukturë apo hierarki të mirëfilltë komanduese”, ka thënë Bajraktari për AP.
Sipas tij, epilogu gjyqësor duhet të përfundojë me shpalljen e pafajësisë së ish-krerëve të UÇK-së.
“Nëse ka drejtësi dhe një vendim të drejtë, atëherë, me aq sa kemi parë, vendimi duhet të jetë lirues për ish-krerët e UÇK-së”.
Mbrojtja e ish-presidentit Thaçi, në konferencën statusore të mbajtur më 19 gusht në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka njoftuar se do të dëshmitarë nga ShBA-ja që janë figura të larta dhe të rëndësishme, por nuk ka zbuluar identitetin e tyre.
“Unë nuk mund të përmend emra në publik, sepse bëhet fjalë për persona me një staturë të lartë, shumë të njohur, si për shembull sekretarja Albright, Richard Holbrooke, senatori Dole etj”, është shprehur njëri nga avokatët e Thaçit.
Qeveria e SHBA-së ka bërë të ditur se mbrojtja është duke punuar për të siguruar autorizimet e duhura për këta dëshmitarë, pasi sipas mbrojtjes, ata do të paraqesin informacione shfajësuese.
Prokuroria e Specializuar ka theksuar se do t’i duhen rreth një muaj kohë nga momenti kur mbrojtja të dorëzojë deklaratat e dëshmitarëve deri në paraqitjen e tyre në gjykatë. Por mbrojtja ka sqaruar se nuk është e obliguar t’i dorëzojë përmbledhjet e tyre.
Nga ana tjetër, mbrojtja e Jakup Krasniqit ka njoftuar se planifikon që dy dëshmitarë të dëshmojnë në gjykatë, ndërsa dy të tjerë të japin dëshminë me shkrim, e cila tashmë i është dorëzuar prokurorisë.

Presidenca bullgare: Presidentet e Bullgarisë dhe të Kosovës diskutojnë për thellimin e marrëdhënieve
Bullgaria në krah të Kosovës për integrimin në BE dhe anëtarësimin në KiE
Haxhiu: Kosova e meriton statusin e vendit kandidat
Manipulimi i fokusit publik: Kosova si instrument në raportet Serbi- Mali i Zi
Zulfaj: Kosova është e gatshme për statusin e vendit kandidat
Haxhiu përfaqëson Kosovën në samitin SEECP në Sofje
Hekurudha Durrës-Prishtinë, temë diskutimi në takimin Karakaçi-Basha
Përfundon numërimi në të gjitha QKN-të, KQZ vazhdon me votat me postë dhe ato me kusht
Ekspertët e arsimit: Nataliteti në rënie dhe emigrimi po zbrazin shkollat në Kosovë
Kosova në kongresin më të madh të endokrinologjisë në SHBA, nëpërmjet dr. Venera Berisha-Muharremi