Beograd, 05 shtator 2025
Vala e protestave në Serbi gjatë gushtit u përshkrua me dhunë dhe përplasje mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të pushtetit.
Teksa dhjetëra protestues antiqeveritarë u arrestuan, përfaqësuesit e pushtetit heshtën ndaj akuzave se në shkaktimin e trazirave kanë marrë pjesë edhe mbështetës të Partisë Progresive Serbe (SNS), përfshirë individë me dosje kriminale.
Radio Evropa e Lirë ka analizuar fotografitë e publikuara në rrjetet sociale dhe ka konfirmuar identitetin e disa personave që gjatë protestave në mes të gushtit ruanin zyrat e partisë në pushtet në Serbi, SNS. Në mesin e tyre janë edhe persona të dënuar për një sërë veprash penale, drejtues të klubeve të ndryshme boksi në Serbi, si dhe anëtarë të organizatave të djathta dhe proruse.
SNS-ja nuk iu përgjigj pyetje të Radios Evropa e Lirë lidhur me praninë e këtyre individëve para zyrave të partisë.
Partia opozitare e Lirisë dhe Drejtësisë ka publikuar në rrjetin X se aktivistët e SNS-së, të cilët më 12 gusht sulmuan qytetarët në Vërbas me mjete piroteknike, ishin të udhëhequr nga Stojan Knezheviq, anëtar i shquar i SNS-së nga Sombori, qytet në veriperëndim të Serbisë.
Sipas informacioneve që REL-i ka marrë nga Gjykata e Lartë në Sombor, Stojan Knezheviq më 2011 ishte dënuar me dy vjet burgim për veprën penale të prodhimit, mbajtjes, përdorimit dhe shitje të paautorizuar të armëve dhe materialeve shpërthyese.
Knezheviq sot drejton klubin e boksit “Sombor”, që financohet nga administrata komunale. Në tre vjetët e fundit, si “organizatë sportive me rëndësi të veçantë”, nga buxheti i këtij qyteti i janë dhënë rreth 130 mijë euro, sipas të dhënave të publikuara në ueb-faqen e Komunës së Somborit.
Në dy vjetët e fundit, Snezheviq ka qenë mysafir i shpeshtë në mediat proqeveritare dhe ka udhëhequr fushatën “Drejtësi për Uroshin”, përmes së cilës ai u ka bërë thirrje autoriteteve që të lirojnë djalin e tij, Uroshin, i cili është dënuar me tre vjet e tetë muaj burgim për të shtënat me armë zjarri në qendrën e Somborit më 2023.
Knezheviq në llogarinë e tij në Instagram ka shpërndarë pamje nga Vërbas, dhe në njërën nga fotografitë e publikuara shihet në shoqërinë e Karagjorgje Mijalloviq, drejtor i klubit të boksit nga Beogradi, “Balkan Boxing”.
Mijalloviq më herët është fotografuar në kampin që mbështetësit e SNS-së ngritën para ndërtesës së Parlamentit serb.
Fushatën për lirimin e të birit ai e ka mbështetur mbi akuzat se “Prokuroria opozitare në Sombor po hakmerret për mbështetjen ndaj [presidentit të Serbisë, Aleksadar] Vuçiqit”.Ai është drejtues i klubit të boksit që nga fillimi i vitit 2024 dhe po atë vit, pavarësisht detyrimit ligjor, sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrin e Bizneseve (APR) ai nuk ka publikuar raportin financiar për veprimtarinë e klubit.
Po atë vit, ai u emërua edhe drejtor i “Kampionatit Evropian të Boksit 2024”, ndërsa më 2023 kishte marrë drejtimin e kompanisë për rritjen e kafshëve “KH Falcon 2022”, bashkëpronar i së cilës, së bashku me dy shtetas të Emirateve të Bashkuara Arabe, ishte Nenad Borovçanin.
Borovçanin aktualisht është kryetar i Federatës së Boksit të Serbisë dhe ish-anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste të Serbisë, si dhe ish-sekretar në Ministrinë e Rinisë dhe Sportit.
Mijalloviq ia ndryshoi kompanisë emrin dhe veprimtarinë, përkatësisht për ndërtime banesore dhe jobanesore, por kompania u mbyll më 2024, sipas të dhënave të APR-së.
“Lidhja ruse”
Në fotografitë e Stojan Knezheviqit nga Vërbasi, REL-i identifikoi edhe Vukashin Gjokoviqin, i cili shpesh shfaqet në mediat proqeveritare dhe merr pjesë në tubimet për mbështetjen e SNS-së, pavarësisht se në vitin 2022 ishte një nga aktivistët e koalicionit NADA.
Ky koalicion i djathtë, i përbërë nga Partia e Re Demokratike e Serbisë dhe Lëvizja për Ringjalljen e Mbretërisë së Serbisë, ndryshe nga Gjokoviqi, mbështet protestat e udhëhequra nga studentët dhe bllokadat qytetare.
REL-i e ka identifikuar Gjokoviqin edhe në një fotografi nga takimi i “ekipit të ngushtë të Qendrës serbo-ruse ‘Majak’”, të cilën kjo organizatë e kishte publikuar në rrjetet sociale në fillim të vitit. Qendra serbo-ruse “Majak” është një shoqatë joqeveritare e lidhur me lëvizjet e djathta në Serbi.
Ajo u themelua në vitin 2019 gjatë vizitës së presidentit rus, Vladimir Putinit, në Beograd dhe organizata drejtohet nga Vladimir Prebiraçeviq, nënkryetar i Partisë Popullore Serbe. Ky është subjekti i ministrit pa portofol Nenad Popoviq, i njohur për lidhjet e tij politike dhe biznesore me Federatën Ruse dhe ministër në dy ekzekutive të mëparshme që kur SNS-ja mori pushtetin në Serbi më 2012.
“Në hotelin Dash në Novi Sad u mbajt një takim ku u përcaktuan objektivat dhe aktivitetet për vitin 2025, por gjithashtu u bë edhe reduktimi i pozicioneve të këshilltarëve specialë si dhe u formuan ekipe për aktivitete të veçanta, të cilat do të udhëhiqen nga njerëz të rinj në organizatën tonë”, thuhej në postimin për këtë takim, ku mori pjesë edhe Vukashin Gjokoviq.
Ai, përveçse në Vërbas, është parë edhe në Novi Sad, ku më 13 gusht qytetarët u mblodhën për të protestuar para zyrave të SNS-së.
Në mbrojtje të SNS-së edhe dy të dënuar për vepra më të rënda
Në Novi Sad, selinë e SNS-së e “ruante” edhe Jovan Coja Kecman, ish-udhëheqës i grupit të tifozëve “Korida” të klubit të futbollit “Novi Sad”.
Siç ka konfirmuar për REL-in Gjykata e Lartë në Novi Sad, Kecman më 2018 ishte dënuar me shtatë vjet burgim për veprën penale të vrasjes në tentativë dhe për prodhim, mbajtje, përdorim dhe shitje të paautorizuar të armëve.
Ai u dënua për tentim-vrasjen e ish-policit serb, Dalibor Bogdanoviq Boqa.
Në zyrat e SNS-së në Novi Sad, në atë rast ishte i pranishëm edhe Milosh Vuçeviq, ish-kryeministër i Serbisë dhe kryetar i partisë në pushtet.
Gjatë protestave në Beograd, në mbrojtje të SNS-së u shfaq edhe Gjorgje Preliq, i dënuar për vrasjen e tifozit francez Brice Tatona në vitin 2009 në Beograd. Ai u filmua mes mbështetësve të SNS-së para Parlamentit të Serbisë.
Preliq ka qenë udhëheqës i grupit të tifozëve të Partizanit, “Alkatraz”.
Në vitin 2009, ky grup tifozësh kishte sulmuar në qendër të Beogradit shtetasin francez Brice Tatona, 28 vjeç, i cili vdiq pasi tifozët e shtyn nga disa shkallë.
Preliq ishte katër vjet në arrati dhe u dënua në mungesë me 35 vjet burgim. Vendimi u anulua dhe pas arrestimit të tij në Spanjë dhe ekstradimit, në një proces të ri gjyqësor ai u dënua me dhjetë vjet burgim.
Preliq u lirua me kusht më 2021. Nga Gjykata e Lartë në Beograd thanë për REL-in se që nga ajo kohë kundër tij gjykata nuk ka zhvilluar ndonjë procedurë të re penale.

Ivan Niniq: Beogradi sakrifikoi serbet e Kosovës për interesa politike, ndërsa Radoiçiq ende është i lirë
Kamberi: Lugina e Preshevës duhet të jetë në agjendën e përbashkët Kosovë–Shqipëri
Kosova pa president, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme
Kurti: I ofrojmë LDK-së edhe 15 nënshkrime për kandidatin e tyre, Hoxha u dakordua të tërhiqet
Seanca për Presidentin shtyhet në ora 23:00
Kurti: Mbrëmë u kam shkruar Hamzës dhe Abdixhikut, por nuk janë përgjigjur për çështjen e presidentit
Dogana e Kosovës konfiskon mbi 122 mijë euro në veturën që e drejtonte shtetasi rumun
Zgjedhjet e reja, Haxhiu pret në një takim kryetarin e KQZ-së
Slobodan Radenkoviq dënohet me 2 vjet burgim dhe 15 mijë euro gjobë për sulmet në Zveçan