Prishtinë, 28 Gusht 2025
Komisioni Evropian ka njohur dhe vlerësuar progresin e Kosovës në zbatimin e reformave në administratën publike, duke transferuar 5.5 milionë euro drejtpërdrejt në thesarin e shtetit. Kjo shumë është pjesë e Kontratës për Reformën Sektoriale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila lidh mbështetjen financiare me përmbushjen e objektivave konkrete të reformës në administratën publike.
Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla thekson se ky është një sukses i përbashkët i institucioneve dhe një konfirmim se kur ka përkushtim dhe zbatim serioz të reformave, rezultatet janë të prekshme. Mbështetja e BE-së është një nxitje për të vazhduar ndërtimin e një administrate publike profesionale dhe në shërbim të qytetarëve.
Përmes Kontratës për Mbështetje Buxhetore Sektoriale (SBS), që zbaton programin IPA 2016, Bashkimi Evropian shpërblen progresin konkret në reformën e administratës publike, duke e lidhur mbështetjen financiare me arritjen e treguesve të matshëm. Përmbushja në masën 100% e periudhës së katërt dhe përfundimtare është vlerësuar nga Komisioni Evropian si arritje e plotë e Kosovës. Veprimet e ndërmarra vitet e fundit, përfshirë forcimin e kuadrit strategjik dhe fuqizimin e kornizës ligjore, kanë synuar krijimin e një administrate profesionale dhe të depolitizuar. Një administratë që funksionon mbi parimet e meritokracisë, transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit, dhe që shpërblehet përmes një sistemi pagash të unifikuar, të ligjshëm, transparent dhe të drejtë.
Vizioni ynë është të ndërtojmë një administratë publike të qëndrueshme, të aftë të përballet me sfidat dhe trendet zhvillimore të vendit, si dhe të menaxhojë me sukses obligimet që burojnë nga procesi i integrimit evropian. Ky vizion përfshin rekrutime transparente në shërbimin civil, zgjerimin e shërbimeve digjitale për modernizimin e ofrimit të shërbimeve, si dhe forcimin e llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së nëpunësve civilë në ushtrimin e detyrave të tyre.
Këto objektiva janë themeli për një qeverisje të besueshme, profesionale dhe inovative — një administratë që u shërben qytetarëve, nxit zhvillimin ekonomik dhe garanton që Kosova ka kapacitetin për të përmbushur obligimet nga procesi i integrimit evropian.

908 milionë euro të parapara për komunat në projektbuxhetin e vitit 2027
Dëshmitari në gjykatë: Pantiqi dhe Zariqi ishin të përfshirë në krimet në Istog
Koeficienti i pagave pritet të rritet në 120 euro nga korriku i vitit 2027, paralajmëron Kurti
Pantiqi merret në pyetje nga Prokuroria për rastin e Ukshin Hotit
Dogana e Kosovës arkëton 186.6 milionë euro të hyra gjatë tetorit
Pantiq e Zariq dalin para Gjykatës si të akuzuarve për krime lufte
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës zhvillojnë aksion në disa lokacione
Kosova përfaqësohet në takimin evropian të rrjeteve të ansambleve muzikore në Itali
Zbuten tensionet SHBA-Iran, çmimi i naftës bie 6.7 për qind