Prishtinë, 18 gusht 2025
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë në lidhje me konstituimin e Kuvendit, duke qartësuar procedurat dhe afatet që duhet të respektohen nga deputetët.
Përmbajtja e seancës konstituive
Në aktgjykim theksohet se rendi i ditës i seancës konstituive është i përcaktuar rreptësisht nga Rregullorja e Kuvendit. Ai përfshin vetëm:
1. Formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve;
2. Betimin e deputetëve;
3. Zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit;
4. Zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.
Gjykata ka nënvizuar se ky rend i ditës është i vetmi që mund të trajtohet në seancën konstituive dhe se kryesuesi i seancës nuk ka të drejtë të devijojë apo të lejojë ndërhyrje procedurale që bien ndesh me Kushtetutën.
Afati për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit
Me publikimin e këtij aktgjykimi më 18 gusht 2025, ka nisur të rrjedhë afati 30-ditor brenda të cilit deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e Kuvendit përmes votimit të hapur. Sipas Kushtetueses, deri më 18 shtator Kuvendi duhet të jetë i konstituuar.
Gjykata po ashtu ka shpallur të pavlefshme seancat e mbajtura në periudhën 27 qershor – 26 korrik 2025, duke theksuar se ato nuk kanë respektuar vendimin e saj të mëparshëm të datës 26 qershor.
Kërkesa për përjashtim e gjyqtarit Llaban
Në aktgjykim zbulohet se më 7 gusht 2025, gjyqtari Radomir Llaban kishte kërkuar vetëpërjashtimin nga vendimmarrja në tri raste të lidhura me seancën konstituive (KO193/25, KO196/25 dhe KO215/25), të cilat ishin parashtruar nga PDK, LDK dhe presidentja Vjosa Osmani. Kërkesa e tij u refuzua njëzëri nga gjykata.
Presidentja Osmani, më 5 gusht, kishte tërhequr kërkesën e saj nga Gjykata Kushtetuese, duke deklaruar se emërimi i gjyqtarit Llaban si raportues përbënte rrezik për rendin kushtetues. Ajo ka theksuar se institucionet e sigurisë në Kosovë kishin dorëzuar informacione për veprimtarinë e tij në vitet 2018, 2021 dhe 2024.
Akuzat ndaj gjyqtarit Llaban
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media, e ka akuzuar Llabanin se është bashkëpunëtor i shërbimit sekret serb (BIA) dhe i afërt me Milan Radoiçiqin. Sipas saj, gjyqtari ka qenë i përfshirë edhe në planin e Serbisë për ndërhyrje në zgjedhjet në Kosovë.
“Llaban ka pasur raporte të hershme me Milan Radoiçiqin, kryeterroristin e rastit në Banjska, dhe falë këtyre lidhjeve ka përfituar prona dhe punësime për familjarët e tij,” ka deklaruar Haxhiu.
Vendimi përfundimtar i Kushtetueses
Më 8 gusht 2025, Gjykata Kushtetuese mori vendim që deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit duhet të zgjedhin kryetarin e Kuvendit me votim të hapur, brenda afatit 30-ditor. Po ashtu, vendimi i përcakton se të gjitha seancat e mbajtura pas 26 qershorit janë të pavlefshme.
Ky aktgjykim i ri pritet t’i japë fund bllokadës institucionale dhe t’i hapë rrugë konstituimit të Kuvendit dhe funksionimit normal të institucioneve të Kosovës.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj