Prishtinë, 16 Gusht 2025
Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe Misioni i OSBE-së e kanë mirëpritur miratimin në parim nga Qeveria në detyrë të kërkesës së Radiotelevizionit të Kosovës për kredi deri në 2,540,000 euro.
BE-ja në Kosovë ka vlerësuar se ky vendim i Qeverisë në detyrë është një hap i rëndësishëm për të siguruar vazhdimësinë e RTK-së dhe të drejtën e publikut për informacion.
“BE-ja bën thirrje për miratimin e shpejtë të Ligjit për RTK-në për të siguruar financim të qëndrueshëm dhe stabilitet financiar.” – thuhet në reagimin e Zyrës së BE-sënë Kosovë.
Kurse, Misioni i OSBE-së në Kosovë vlerëson se RTK – si transmetues publik – ka një rol jetik për të luajtur, duke mundësuar lirinë e shprehjes, debatin demokratik dhe ofrimin e informacionit të paanshëm për të gjitha komunitetet.
“Vazhdimi i funksionimit të saj [RTK-së] është thelbësor për jetën demokratike dhe besueshmërinë e Kosovës, qeverisjen transparente dhe pozitën e saj në fushën e medias. Si hap i mëtejshëm, ne inkurajojmë ndërmarrjen e veprimeve drejt një modeli të qëndrueshëm dhe transparent të financimit, që garanton pavarësinë e RTK-së dhe rolin e saj si shërbim publik.” – thuhet në reagimin e Misionit të OSBE-së.
Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë në detyrë përmes të cilit miratoi në parim kërkesën e RTK-së për huamarrje.
Sipas AGK-së, nëpërmjet këtij vendimi mundësohet funksionimi në së paku 3 muajt e ardhshëm për RTK-në, dhe ekzekutimi i pagave për 700 punonjësit e saj.
“AGK-ja ka qëndruar pranë gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të RTK-së që prej fillimit dhe i përgëzon ata për kryerjen e detyrave me gjithë presionin financiar. AGK-ja e fton Qeverinë në detyrë të Kosovës, dhe partinë politike që e udhëheq atë, Vetëvendosje që të ndalojë presionin e vazhdueshëm politik ndaj RTK-së, të ushtruar në forma të ndryshme.” – thuhet në reagimin e AGK-së.
Miratimin e kërkesës së RTK-së Qeveria në detyrë e Kosovës e ka bërë në mbledhjen elektronike që ka mbajtur të premten, më 15.08.2025.
Gjatë ditës, më 15.08.2025, Hysen Hundozi, ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, njoftoi në Facebook se për shkak të mungesës së buxhetit të RTK-së, rrjedhimisht mungesës së pagave për rreth 700 punëtorë të mediumit publik, kanë vendosur të aplikojnë për kredi në Ministrinë e Financave.
Hundozi u është drejtuar kolegëve të tij duke u thënë se menaxhmenti i RTK-së nuk është ndalur së kontaktuari institucionet vendore e ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje alternative për tejkalim të situatës.
“Për shkak të pamundësisë për të komunikuar drejtpërdrejt me themeluesin tonë, Kuvendin e Kosovës, ne iu kemi drejtuar Qeverisë së Republikës së Kosovës, me të cilën kemi shqyrtuar të gjitha mundësitë për tejkalimin e gjendjes” – ka shkruar mes tjerash Hundozi.
Sipas tij, janë shqyrtuar alternativa të shumta deri në arritjen e një modaliteti të ligjshëm që mundëson ndihmën e Qeverisë për RTK-në deri në konstituim të Kuvendit.
“Kërkesa jonë zyrtare për kredi është dorëzuar në Ministrinë e Financave dhe ajo po trajtohet me prioritet. Presim që shumë shpejt ajo të realizohet, në mënyrë që ne të vazhdojmë normalisht punën tonë” – ka deklaruar Hundozi.

Dëshmitari në rastin “Ibër-Lepenci”: 20 nga 24 mostrat përputheshin me ADN-në e të akuzuarit Viqentijeviq
Punimet në Parkun Industrial në Frashër avancojnë, shtohet interesi i bizneseve për investime
Aktakuzë ndaj 57-vjeçarit që qëlloi me kallashnikov drejt autobusit në Malishevë
Murati nënshkruan marrëveshje 60 milionë euro me Agjencinë Franceze për Zhvillim për projektin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”
Shtyhet aktgjykimi ndaj Milorad Gjokoviqit
Nga sot hapet aplikimi për subvencionimin e teksteve shkollore
Këshilli i Partisë Demokratike Popullore në Nikshiq nis një iniciativë drejtuar Asamblesë së Qytetit për të tërhequr njohjen e Kosovës