14 gusht, 2025
Procesi i verifikimit të kandidatëve që kanë aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit pritet të zgjasë më shumë se zakonisht, ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Të enjten u bë e ditur se nga 104 subjektet që kanë aplikuar, verifikimi është përmbyllur për 16 prej tyre.
Sipas të dhënave të KQZ-së, pas përfundimit të afatit për regjistrim, në zgjedhje do të marrin pjesë 35 kandidatë të pavarur, 34 iniciativa qytetare, 33 parti politike dhe 2 koalicione.
Në mbledhjen e së enjtes, KQZ paralajmëroi se procesi i verifikimit për pjesën e mbetur të subjekteve do të zgjasë më shumë.
Drejtori i Zyrës për Regjistrim dhe Certifikim të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, shpjegoi arsyet e këtij zgjatimi.
“Verifikimi i kandidatëve do të marrë kohë sepse Këshilli Gjyqësor i Kosovës, sikurse i gjithë sistemi gjyqësor, aktualisht ndodhet pothuajse tërësisht në pushim vjetor. Për më tepër, rreth 90 për qind e subjekteve politike kanë përfunduar aplikimin të mërkurën në orën 23:59, andaj edhe numri i kandidatëve që do të dërgohen për verifikim është shumë i madh”, tha ai.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet, një kandidat nuk mund të certifikohet nëse është funksionar publik me status të veçantë; anëtar i shërbimit të jashtëm diplomatik; kryesues apo anëtar i KQZ-së dhe Komisionit Komunal të Zgjedhjeve; zyrtar i PZAP-it; ose nëse me vendim gjykate, përfshirë edhe atë të PZAP-it, i është hequr e drejta për të qenë kandidat.
Po ashtu, nuk kanë të drejtë kandidimi personat që në tre vitet e fundit janë dënuar me një ose më shumë vite burgim efektiv për vepër penale, ata që nuk kanë paguar gjobën e vendosur nga PZAP-i apo KQZ-ja, ose nuk i janë përmbajtur ndonjë urdhri të PZAP-it.
Anëtarët e KQZ-së u interesuan edhe për numrin e përgjithshëm të kandidatëve për zgjedhjet e 12 tetorit.
“Deri tani kemi kryesisht kandidatura individuale, por tani vijnë edhe subjektet e mëdha politike me numër të madh kandidatësh. A dihet përafërsisht sa kandidatë do të verifikohen?”, pyeti anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi.
Buzhala tha se numri i kandidatëve mund të arrijë deri në 850 për një subjekt politik.
Në mesin e subjekteve politike të certifikuara të enjten është edhe iniciativa qytetare e Ramiz Lladrovcit, i cili në zgjedhjet e 12 tetorit do të garojë kundër Partisë Demokratike të Kosovës.

Kandiqi i reagon Daçiqit: Politika jote rezultoi me varreza masive t`shqiptarëve
Kurti emëron 27 zëvendësministra
Seancë dëgjimore për Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën në Kongres, i ftuar zyrtari i State Departamentit
Kurti thirrje liderëve politikë: Ta zgjidhim çështjen e presidentit
Kurti premton pagë mesatare mbi 1 mijë euro dhe dyfishim të shtesave për fëmijë
Zgjidhet Qeveria Kurti 4
Procedurat e Apelit që duhen ndjekur mbrojtjet e ish-krerët e UÇK-së
Protestuesit përleshen me policinë para objektit të Qeverisë
Hamza: Vendimi ndaj krerëve nuk u bë në emër të popullit, por kundër shtetit të Kosovës