11 Gusht 2025
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia drejt konkretizimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia po punojnë për ta zbatuar në praktikë marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, të nënshkruar më 18 mars në Tiranë nga ministrat përkatës të Mbrojtjes. Ky bashkëpunim, i dakorduar fillimisht në letër, ka hyrë në fazën e planifikimit operacional.
Ministritë e Mbrojtjes të Kosovës dhe Shqipërisë konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se grupet e ekspertëve po punojnë në përgatitjen e planit të zbatimit. Sipas ministrit në detyrë të Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, më 18 korrik në Tiranë është mbajtur takimi i grupit zbatues për detajimin e planit në nivel operacional. Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë bëri të ditur se në shtator do të prezantohet për miratim udhëzuesi final për tri ministritë.
Katër shtyllat e bashkëpunimit
Deklarata e nënshkruar nga Ejup Maqedonci (Kosovë), Pirro Vengu (Shqipëri) dhe Ivan Anushiq (Kroaci) përfshin katër pika kryesore:
1.Promovimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes;
2.Rritja e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve;
3.Kundërpërgjigjja ndaj kërcënimeve hibride dhe forcimi i qëndrueshmërisë;
4.Mbështetje për integrimin euroatlantik.
Blerjet e përbashkëta të armatimit
Një ndër objektivat kryesore është blerja e përbashkët e kapaciteteve mbrojtëse. Maqedonci shpjegon se, në vend të tri porosive të veçanta, synohet një porosi e vetme për armë nga SHBA-ja, duke përdorur legjislacionin e secilit shtet, por me sasi dhe afate të përbashkëta të dorëzimit.
“Kështu, duke blerë më shumë, çmimi është më i ulët dhe furnizimi bëhet më shpejt,” tha ai. Këto blerje do të financohen nga fondet kombëtare të secilit vend.
Maqedonci theksoi se partnerët e marrëveshjes do të ndihmojnë Kosovën në procesin e integrimit euroatlantik, veçanërisht në anëtarësimin në Partneritetin për Paqe të NATO-s. Qeveria kroate ka deklaruar më herët se nismës mund t’i bashkohen edhe vende të tjera që duan ta mbështesin Kosovën dhe Shqipërinë në rrugën e tyre drejt BE-së dhe NATO-s.
Stërvitje dhe siguri kibernetike
Marrëveshja parasheh gjithashtu stërvitje ushtarake dypalëshe e trepalëshe, bashkëpunim në rekrutimin e personelit dhe rritjen e mundësive të edukimit në akademi ushtarake. Një tjetër prioritet është lufta kundër kërcënimeve hibride, përfshirë sulmet kibernetike, fushatat e dezinformimit dhe ndikimin e huaj dashakeq.
Për këtë qëllim, shtetet partnere do të shkëmbejnë informacione dhe shërbime inteligjente për të parandaluar sfidat e përbashkëta.
Maqedonci bëri të ditur se marrëveshja është mirëpritur nga Pentagoni gjatë vizitës së tij në SHBA në qershor, si dhe nga disa shtete anëtare të NATO-s. Megjithatë, Serbia ka kundërshtuar këtë bashkëpunim, duke e cilësuar si shkelje të marrëveshjes nënrajonale të vitit 1996 për kuotat e armatimit.
Pritjet e ardhshme
Takimi i radhës për këtë bashkëpunim pritet të mbahet në tetor, në kuadër të Kartës së SHBA-Adriatikut (A5), ku Kosova ka statusin e vëzhguesit. Anëtare të plotë janë Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.
Sipas Qeverisë kroate, ky bashkëpunim nuk ka për qëllim krijimin e një aleance të re ushtarake, pasi për këtë qëllim mjafton anëtarësimi në NATO.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj