Banorët e veriut të Kosovës, veçanërisht ata që jetojnë në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, po shprehin pakënaqësi lidhur me mënyrën e faturimit të energjisë elektrike nga kompania “Elektrosever”. Sipas tyre, faturat po vijnë në mënyrë paushalle, të fryra dhe jo në përputhje me konsumin real.
Në këtë lagje, 111 qytetarë kanë firmosur një peticion kundër kësaj praktike, duke theksuar se ndonëse u është premtuar tarifë minimale prej 21.60 eurosh, shumica kanë marrë fatura që fillimisht kapnin vlerën mbi 50 euro, e më pas edhe mbi 100 euro. Ata gjithashtu pretendojnë se nuk kanë marrë fatura mujore në kohë, por atyre u janë llogaritur shpenzimet për disa muaj njëherësh, e në disa raste madje kanë marrë dy fatura brenda të njëjtit muaj.
Mentor Boja, banor dhe ndërmjetësues i licencuar, thekson se banorët janë të gatshëm të paguajnë për rrymën e shpenzuar, por jo për shuma të caktuara pa bazë të qartë.
Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin, deklaroi se shqetësime të ngjashme kanë ngritur edhe qytetarët e komunitetit serb. Sipas tij, situata mund të përshkallëzohet nëse nuk gjendet një zgjidhje e pranueshme, pasi kërkesa për pagesa të larta ka filluar të shkaktojë tensione që mund të rrezikojnë stabilitetin.
Nga kompania “Elektrosever” nuk është dhënë ndonjë përgjigje zyrtare për këto ankesa. Megjithatë, është bërë e ditur se në rast të mosshlyerjes së borxheve, gjatë javës së ardhshme do të ketë ndërprerje të furnizimit me energji elektrike për konsumatorët debitorë.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) njoftoi se është në kontakt të vazhdueshëm me “Elektroseverin” dhe se do të ndërmarrë veprimet e duhura në rast të faturimeve të padrejta. Megjithatë, ZRRE sqaroi se kompania në fjalë nuk është e ngarkuar me detyrime të shërbimit publik dhe për rrjedhojë tarifat e saj nuk i nënshtrohen miratimit nga rregullatori. Marrëveshjet për çmimet e energjisë elektrike bazohen në marrëveshje të drejtpërdrejta ndërmjet kompanisë dhe konsumatorëve.

Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Mbi 2 mijë të mbijetuar me status zyrtar, drejtësia mbetet sfidë
Emrat e të dyshuarve: Serbë që dyshohet se morën pjesë në krime lufte
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Aktivistët në Serbi po i heqin grafitet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”
Rusia e zhvendos luftën përtej frontit, sa e përgatitur është Kosova për kërcënimet hibride?
Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit