Prishtinë, 29 shtator 2026 07:20
Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian janë mbledhur të hënën në Bruksel për të forcuar reagimin e bllokut ndaj sulmeve hibride, ndërsa shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka paralajmëruar se Rusia po planifikon akte të tjera sabotimi në Evropë, raporton Euronews.
BE-ja po harton një mekanizëm të ri për koordinimin e reagimit ndaj sabotimeve ruse dhe kërcënimeve të tjera hibride. I ashtuquajturi “protokoll i emergjencës së sigurisë” synon t’u mundësojë vendeve anëtare të koordinojnë shpejt reagimin kur identifikohet një kërcënim hibrid.
“Duhet të jemi vigjilentë, sepse nga inteligjenca shohim se Rusia po planifikon më shumë akte sabotimi”, tha Kallas gjatë mbërritjes në takimin e ministrave.
Ajo tha se këto sulme synojnë demokracinë evropiane, duke kërkuar të përçajnë komunitetet dhe t’i frikësojnë ato, në mënyrë që të tërheqin mbështetjen për Ukrainën.
Mekanizmi, i udhëhequr nga Kallas dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të jetë pjesë qendrore e reagimit të BE-së ndaj luftës hibride.
Kallas tha se mekanizmi do të përfshinte incidente që janë “nën pragun e agresionit të armatosur”, por që megjithatë kërkojnë reagim.
Urgjenca është shtuar pas një sërë incidentesh të fundit, përfshirë shkeljen e hapësirës ajrore të Finlandës nga një avion rus mbi Gjirin e Finlandës të premten.
Ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Häkkänen, tha se Evropa dhe NATO-ja duhet të marrin “masa më të mëdha” dhe të vendosin “koordinim më të fortë” për t’iu kundërvënë këtyre aktiviteteve.
Ndërkohë, ministri suedez i Mbrojtjes, Pål Jonson, tha se Rusia po përpiqet t’i “frikësojë” dhe “intimidojë” aleatët e Ukrainës përmes sulmeve hibride.
Ministrat pritet të diskutojnë gjithashtu raportin e parë të BE-së për gatishmërinë në mbrojtje, i cili, sipas Reuters, paralajmëron se BE-ja nuk po riarmatoset me ritëm të mjaftueshëm për të qenë e gatshme të mbrohet ndaj Rusisë deri në vitin 2030.

Bisedimet në Abu Dhabi sjellin marrëveshje për lirimin e robërve, por jo për paqe
Aleati i Rusisë, Serbia furnizoi industrinë ushtarake ruse me makineri miliona euroshe
Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë sulme të reja, një ditë para negociatave të ndërmjetësuara nga SHBA-ja
Hakerët zbulojnë humbjet ruse në Ukrainë, pretendohet se janë vrarë deri në 450 mijë persona
Eisenkot merr mandatin për formimin e qeverisë në Izrael, Netanyahu rrezikon humbjen e pushtetit
Pesë të vdekur dhe mbi dhjetë të plagosur nga të shtënat në qendër të Krakovit
Lutfi Dalipi zgjedh Kosovën, mbërrin sonte në Prishtinë
Gjenden mbetje mortore në fshatin Brod të Shtërpcës, pritet identifikimi përmes ADN-së
Ndryshimi i pushtetit në Serbi kërcënon privilegjet e Listës Serbe, por jo domosdoshmerisht strukturat ilegale ne Kosovë
Sveçla: 782 milionë euro shpenzime për Policinë, 189 milionë për pajisje dhe armatim