Afro tre vite pas nënshkrimit të marrëveshjes për njohjen e ndërsjellë të letërnjoftimeve në kuadër të Procesit të Berlinit, qytetarët e Kosovës ende nuk mund të udhëtojnë pa viza në Bosnjë e Hercegovinë. Arsyeja kryesore mbetet mosratifikimi i marrëveshjes nga ana e autoriteteve të Bosnjës, për shkak të kundërshtimeve të përfaqësuesve serbë në institucionet shtetërore.
Zëvendëskryeministrja në detyrë, Emilija Rexhepi, në një deklaratë për TV Dukagjini, tregoi vështirësitë që ka hasur edhe vetë gjatë aplikimit për vizë për të marrë pjesë në përkujtimin e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë. Ajo u shpreh optimiste se ratifikimi do të ndodhë së shpejti, duke theksuar angazhimin e përfaqësuesve boshnjakë dhe kroatë për ta shtyrë këtë çështje përpara në Dhomën e Popujve.
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me ministrin e jashtëm Elmedin Konaković, i cili ka premtuar se do të propozojë heqjen e vizave për kosovarët në Këshillin e Ministrave dhe do të përpiqet të sigurojë mbështetjen për ratifikim në Parlament”, theksoi Rexhepi, duke shtuar se përfaqësuesit serbë vazhdojnë të kundërshtojnë marrëveshjen, pavarësisht se e kanë nënshkruar në Berlin.
Megjithatë, pritjet për një zgjidhje të shpejtë nuk janë të mëdha. Deputeti federal i Bosnjës dhe Hercegovinës, Amir Purić nga partia “Naša Stranka”, vlerëson se situata në nivelin shtetëror është e bllokuar dhe nuk pret lëvizje përpara së paku deri pas zgjedhjeve të vitit 2026.
Në këtë kontekst, kryetari i Shoqatës “Dardania” në Bosnjë e Hercegovinë, Rizah Sokoli, ka theksuar ndikimin negativ që kjo situatë ka mbi komunitetin shqiptar, duke kujtuar se edhe familjarët e tij janë përballur me refuzime të njëpasnjëshme të vizave. Sipas tij, Bosnja duhet të ndjekë shembullin e Greqisë, e cila, ndonëse nuk e njeh Kosovën, njeh dokumentet e saj.
Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës ka përsëritur se është e përkushtuar në këtë proces dhe i bën thirrje autoriteteve të Bosnjës të përmbushin detyrimet e tyre ndërkombëtare. Kujtojmë se Kosova ka hequr njëanshëm regjimin e vizave për qytetarët e Bosnjës që nga 1 janari i këtij viti, ndërsa bllokada vazhdon nga entiteti Republika Srpska nën udhëheqjen e Milorad Dodikut.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj