Prishtinë, 17 shtator 2026 08:39
Rreziku nga lufta hibride në Kosovë është rritur dhe në të njëjtën kohë ka marrë forma të reja, ku aktivitetet e inteligjencës ndërthuren me dezinformimin, sulmet kibernetike, sabotimin e infrastrukturës dhe presionin ekonomik.
Kështu vlerëson për Veritasinfo, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, i cili thotë se një pjesë e narrativave që qarkullojnë në hapësirën informative të Kosovës mund të jenë pjesë e përpjekjeve për të dobësuar besimin në institucione dhe për të nxitur përçarje shoqërore.
Sipas tij, një nga format e përhapjes së këtyre narrativave nis në mediat ruse, kalon në mediat serbe dhe më pas shpërndahet në portalet serbishtfolëse në Kosovë dhe në kanale të mbyllura, shpesh duke krijuar perceptimin për një kërcënim të vazhdueshëm ndaj komunitetit serb.
Vrajolli thekson se, në mënyrë indirekte, një pjesë e këtyre përmbajtjeve mund të depërtojë edhe në mediat në gjuhën shqipe.
“Gjithnjë e më shumë përmbajtje prodhohen me inteligjencë artificiale, e cila e shumëfishon vëllimin me kosto minimale”, thotë ai.
Sipas Vrajollit, qëllimi i këtyre fushatave nuk është domosdoshmërisht bindja e shumicës shqiptare, por krijimi dhe ruajtja e dy hapësirave paralele informative.
“Synimi primar shpeshherë nuk është bindja e shumicës shqiptare, mirëpo ruajtja e dy hapësirave paralele informative, gërryerja e besimit në institucione dhe prishja e kohezionit shoqëror”, shprehet Vrajolli.
Ai nuk e përjashton mundësinë që përmbajtje të caktuara përçarëse që qarkullojnë në Kosovë të jenë pjesë e përpjekjeve më të gjera hibride.
“Andaj, nuk mund të përjashtohet që përmbajtja përçarëse në qarkullim të jetë pjesë e këtyre përpjekjeve hibride”, thotë ai.
Konflikti i hapur më pak i mundshëm, por jo edhe destabilizimi
Sa i përket rrezikut për një destabilizim të ri, Vrajolli e sheh konfliktin e hapur si skenar më pak të mundshëm, por paralajmëron se një destabilizim i kontrolluar dhe i përsëritur mbetet i mundshëm.
Ai identifikon tri rrethana që, sipas tij, duhet të merren parasysh si faktorë rreziku: mungesën e ndëshkimit të personave të përfshirë në sulmin e Banjskës nga autoritetet serbe, ri-armatimin e shpejtë të Serbisë dhe boshllëkun institucional në veri të Kosovës.
Në këtë situatë, Vrajolli përmend katër skenarë që duhet të jenë pjesë e vlerësimit të institucioneve të Kosovës.
I pari është presioni i vazhdueshëm nën pragun e konfliktit, përmes incidenteve, sabotimit dhe valëve të dezinformimit, veçanërisht rreth datave të ndjeshme politike.
Skenari i dytë lidhet me zgjedhjet dhe përfaqësimin politik në komunat veriore, ku, sipas tij, destabilizimi mund të nxitet përmes bojkotit ose krijimit të vakumit institucional.
Një tjetër skenar është një incident i armatosur i ngjashëm me Banjskën, i kryer nga aktorë “proxy”, i cili më pas do të shoqërohej me një fushatë propagandistike për t’ia atribuar përgjegjësinë Prishtinës.
Skenari i katërt, sipas Vrajollit, lidhet me testimin e kufijve të sigurisë në rast të zvogëlimit të pranisë së KFOR-it.
Përballë këtyre rreziqeve, ai thotë se Kosova ka nevojë për një mekanizëm të përhershëm ndërinstitucional që do të merrej me kërcënimet hibride, si dhe për forcim të integritetit brenda institucioneve të sigurisë.
Në të njëjtën kohë, Vrajolli e sheh si të rëndësishme edhe një qasje të vazhdueshme ndaj qytetarëve serbë në Kosovë, duke e konsideruar komunikimin dhe përfshirjen e tyre pjesë të rëndësishme të parandalimit të destabilizimit.

Policia jep detaje për protestat pas vendimit të Speciales: Dy të arrestuar, gurë e tentativa për depërtim
Policia e Kosovës jep alarm për mesazhet mashtruese: Mos klikoni dhe mos jepni të dhëna personale
BIA synon destablizimin e Kosovës: Vrajolli: Synohen zgjedhjet dhe organet e sigurisë
Policia reagon ndaj raportimeve se “Kosova blindohet”: Janë procedura të rregullta policore
Mbi 1 miliard euro për mbrojtjen, Kosova synon forcimin e ushtrisë
Policia me plan operativ në Mitrovicën Veriore, s’lejohen të kalojnë veturat me simbole kombëtare
21 të vdekur nga shembja e një ndërtese në Gazë, e dëmtuar nga lufta
Vdes 21-vjeçarja, e cila u godit nga vetura në Vlashnje të Prizrenit