Prishtinë, 14 shtator 2026 15:30
Aktgjykimi i plotë i Gjykatës Themelore në Prishtinë për sulmin në Banjskë hedh dritë mbi mënyrën se si, sipas gjykatës, ishte përgatitur dhe realizuar operacioni i grupit të armatosur serb më 24 shtator 2023.
Sipas vendimit, ngjarja nuk ishte një përplasje e rastësishme, por rezultat i një organizimi të mëhershëm që përfshinte sigurimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake, komunikimin ndërmjet pjesëtarëve, përgatitjen logjistike, përdorimin e automjeteve dhe përcaktimin e pozicioneve në terren.
Gjykata ka konstatuar se grupi i udhëhequr nga Milan Radoiçiq kishte krijuar një strukturë të pajisur për veprim të armatosur. Në mesin e pajisjeve të siguruara ishin armë automatike, municion, eksplozivë, jelekë antiplumb, uniforma, radiolidhje, pajisje optike, dronë dhe mjete mjekësore.
Nga përgatitja në Serbi deri te sulmi
Në aktgjykim përshkruhet një proces që, sipas gjykatës, kishte nisur shumë përpara 24 shtatorit 2023.
Një nga zhvillimet e përmendura është takimi i 13 tetorit 2021 në Rashkë, ku, sipas vendimit, ishte diskutuar kundërshtimi i institucioneve të Kosovës dhe mundësia e veprimeve të organizuara në të ardhmen.
Gjykata ka vlerësuar se deklarimet e bëra në atë takim nuk dëshmojnë se në vitin 2021 ishte hartuar konkretisht plani për sulmin e Banjskës, por ato kanë rëndësi për të kuptuar kontekstin dhe vazhdimësinë e mobilizimit.
Në fazën e përgatitjes, sipas aktgjykimit, janë përdorur harta dhe skica, ndërsa është diskutuar edhe mënyra e vendosjes së barrikadave dhe pengesave në rrugë.
Bllokimi i rrugës dhe sulmi ndaj Policisë
Sipas Gjykatës, më 23 shtator dhe në orët e para të 24 shtatorit, përgatitjet kaluan në fazën e realizimit.
Pjesëtarët e grupit lëvizën drejt Banjskës me automjete të shumta, ndërsa pas arritjes u pajisën me uniforma dhe pajisje taktike, iu shpërndanë armët dhe municioni dhe u përcaktuan pozicionet në terren.
Veprimi i parë ishte bllokimi i rrugës me kamionë dhe mjete të tjera të rënda.
Kur njësitë e Policisë së Kosovës iu afruan zonës për të verifikuar bllokimin dhe për të mundësuar qarkullimin, ndodhi shpërthimi dhe më pas u hap zjarr ndaj zyrtarëve policorë.
Në këtë sulm u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa dy policë të tjerë u plagosën.
Gjykata: Nuk bëhej fjalë për individë të armatosur rastësisht
Një nga konstatimet kryesore të aktgjykimit është se sasia dhe mënyra e shpërndarjes së armatimit nuk përputheshin me një grup individësh të armatosur në mënyrë të rastësishme.
Pas përballjes me Policinë e Kosovës, pjesëtarët e grupit braktisën armë, municion, uniforma, jelekë antiplumb, pajisje taktike dhe mjete komunikimi.
Gjykata ka vlerësuar se kjo dëshmi tregon për një strukturë të përgatitur për veprim, furnizim, komunikim, sulm dhe mbështetje logjistike.
Radoiçiqi, sipas aktgjykimit, udhëheqës i grupit
Gjykata ka marrë për bazë edhe deklaratën publike të Milan Radoiçiqit, i cili e kishte marrë përsipër organizimin dhe përgatitjen e grupit.
Në aktgjykim thuhet se Radoiçiqi do të gjykohet në procedurë të veçantë, pasi ndodhet në arrati. Megjithatë, Gjykata ka konstatuar ekzistencën e grupit, udhëheqësin e tij dhe qëllimet e tij, për qëllim të përcaktimit të gjendjes faktike në këtë proces.
Sipas aktgjykimit, qëllimi përfundimtar i grupit nuk u realizua, pasi ndërhyrja e Policisë së Kosovës i pamundësoi vazhdimin e operacionit dhe bëri që pjesëtarët e grupit të vriteshin, arrestoheshin ose të largoheshin.
Në prill 2026, Gjykata Themelore dënoi me burgim të përjetshëm Blagoje Spasojeviqin dhe Vladimir Toliqin, ndërsa Dushan Maksimoviqi u dënua me 30 vjet burgim. Ndërkohë, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, me Milan Radoiçiqin në krye.
Sulmi i 24 shtatorit 2023 në Banjskë mbetet një nga incidentet më të rënda të sigurisë në veri të Kosovës, ndërsa aktgjykimi i plotë paraqet në mënyrë kronologjike përgatitjen, organizimin dhe realizimin e operacionit të grupit të armatosur.

Aktivistët në Serbi po i heqin grafitet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”
Gjykata cakton paraburgim për dy të dyshuar për krime lufte
Qelaj: Gjykata Speciale ka shkelur të drejtat e njeriut në rastin e ish-krerëve të UÇK-së
Banka Botërore ndan 6.8 milionë dollarë shtesë për shëndetësinë në Kosovë
Dorëhiqet drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha
Hapet konkursi për specializime në shëndetësi, në dispozicion 313 vende
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj
As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000