Prishtinë, 28 gusht 2026 17:29
Institucionet e Kosovës bënë të ditur se ka përfunduar gërmimi në tri lokacione në zonën e Kalludrës dhe Jabukës në Zubin Potok, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se mund të lidhen me fatin e 23 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, të njohur si “Grupi i intelektualëve”.
Sipas institucioneve të Kosovës, deri tani të paktën 10 mbetje kockore janë dërguar në laboratorin e ADN-së në Hagë. Identifikimi përfundimtar pritet pas përfundimit të ekzaminimeve mjekoligjore dhe analizave të ADN-së.
Ministri në detyrë Andin Hoti tha se familjarët janë më afër së vërtetës dhe drejtësisë, por kërkoi durim deri në përfundimin e procedurave. Ai kritikoi Serbinë për mungesë bashkëpunimi në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Prokurorja Florije Shamolli deklaroi se provat e mbledhura gjatë hetimeve shtatëvjeçare i çojnë drejt 23 intelektualëve të zhdukur, por konfirmimi përfundimtar mund të bëhet vetëm përmes ADN-së. Ajo bëri të ditur se tre persona janë në paraburgim, nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile.
Instituti i Mjekësisë Ligjore ka nisur ekzaminimin e mbetjeve dhe marrjen e mostrave për ADN. Ndërkohë, institucionet kanë bërë të ditur se në lokacionet e identifikuara janë gjetur mbetje të së paku 13 individëve, ndërsa numri përfundimtar do të përcaktohet pas ekspertizave.
Gërmimet në këtë zonë nisën më 28 korrik 2026. Në Kosovë vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur rreth 1 mijë e 560 persona nga lufta e fundit.

Më 17 nëntor vendimi për Thaçin në rastin e pengimit të drejtësisë
Vrasje, dëbime dhe spastrim etnik: Prokuroria ngrir aktakuzë për krime lufte në Zveçan
Kurti: Serbia fsheh krimet dhe mbron kriminelët, duhet trysni ndërkombëtare
Gjykimi për spiunazh, Prokuroria: Shabani tentoi ta lidhte spitalin e UÇK-së në Mollopolc me “Shtëpinë e Verdhë”
Akuzat për spiunazh, Prokuroria: Shabani dhe Qerimi bashkëpunuan me BIA-n
Jagxhiu: Internet falas në 43 lokacione publike në 33 komuna të Kosovës
Kurti: Partneriteti strategjik me SHBA-në mbetet prioritet i Kosovës
Maqedonci: Serbia mbetet kërcënim për sigurinë e Kosovës