Prishtinë, 16 gusht 2026 11 31
Kosova dhe Bangladeshi kanë shprehur gatishmëri për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në një sërë fushash, përfshirë ekonominë, arsimin, teknologjinë, turizmin dhe lëvizshmërinë e fuqisë punëtore.
Këto çështje u diskutuan gjatë konsultimeve të ministrive të punëve të jashtme të dy vendeve, të mbajtura së fundmi në Prishtinë. Delegacioni i Bangladeshit u kryesua nga M. Nazrul Islam, sekretar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ndërsa delegacioni i Kosovës nga Ilir Muçaj, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bangladeshit, të dyja palët konfirmuan angazhimin e përbashkët për paqe, stabilitet dhe siguri ndërkombëtare, duke shprehur kundërshtim të fortë ndaj terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe të gjitha formave të krimit ndërkombëtar.
Gjatë takimit u vlerësua se ekziston një potencial i konsiderueshëm, ende i pashfrytëzuar, për zgjerimin e bashkëpunimit në tregti, investime, arsim, bujqësi, teknologji të informacionit dhe komunikimit, turizëm, si dhe në kontaktet ndërmjet qytetarëve.
Një prej çështjeve të veçanta të diskutuara ishte lëvizshmëria e fuqisë punëtore. Të dyja palët njohën nevojën në rritje për punëtorë dhe theksuan rëndësinë e krijimit të një sistemi të rregullt për rekrutimin dhe punësimin e qytetarëve nga Bangladeshi në Kosovë.
Në këtë kuadër, palët ranë dakord të shqyrtojnë mundësinë e krijimit të mekanizmave të bashkëpunimit ndërmjet qeverive, sipas modelit “qeveri me qeveri” (G2G). Ky mekanizëm synon të mundësojë migrim transparent, të rregullt dhe reciprokisht të dobishëm të fuqisë punëtore.
Kosova dhe Bangladeshi diskutuan gjithashtu për marrëveshjet dypalëshe që janë aktualisht në negociata, duke theksuar nevojën për përfundimin e tyre sa më shpejt. Në veçanti, rëndësi iu dha marrëveshjeve që lidhen me bashkëpunimin ekonomik dhe shmangien e tatimit të dyfishtë.
Të dyja palët shprehën kënaqësinë për progresin e arritur në marrëdhëniet dypalëshe që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe vlerësuan marrëveshjet e mëparshme si një bazë të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit institucional.
Në planin ndërkombëtar, Kosova vlerësoi kontributin afatgjatë të Bangladeshit në operacionet paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara dhe shprehu mirënjohje për pjesëtarët bangladeshas të misioneve paqeruajtëse që kanë shërbyer në Kosovë.
Nga ana tjetër, Bangladeshi përshëndeti pjesëmarrjen në rritje të Kosovës në organizatat dhe iniciativat ndërkombëtare e rajonale dhe shprehu mbështetje për integrimin e mëtejshëm të Kosovës në organizata, konventa dhe mekanizma shumëpalësh ndërkombëtarë.
Gjatë konsultimeve u diskutua edhe kriza e refugjatëve Rohingya.
Pala kosovare vlerësoi përgjigjen humanitare të Bangladeshit ndaj kësaj krize dhe mbështeti përpjekjet për kthimin e popullsisë së zhvendosur Rohingya në mënyrë të sigurt, vullnetare, me dinjitet dhe të qëndrueshme në shtetin Rakhine të Myanmarit.
Të dyja vendet u pajtuan gjithashtu për rëndësinë e konsultimeve të rregullta ndërmjet ministrive të punëve të jashtme, si mekanizëm për forcimin e bashkëpunimit, monitorimin e progresit dhe identifikimin e fushave të reja të bashkëpunimit.
Konsultimi i tretë ndërmjet Ministrive të Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Bangladeshit pritet të mbahet në Daka gjatë vitit 2027, në një datë që do t’u përshtatet të dyja palëve.

Zulfaj thotë se Kosova ka argumente të fuqishme për statusin kandidat në BE
Konjufca: Faktori shqiptar, i rëndësishëm për Malin e Zi
Kurti sërish iu shkruan liderëve opozitarë, kërkon takim të përbashkët
Nga pasivizimi i adresave te përjashtimi nga drejtësia: shqiptarët e Luginës jashtë sistemit
Narrativa serbe për Kosovën gërshetohet me propagandën ruse
SHBA reagon ndaj deklaratave të Vuçiqit për Ibrin
Dy të vdekur e 27 të lënduar në 24 orët e fundit nga aksidentet në trafik
“Taranto 2026”, sot i dorëzohet flamuri ekipit të Kosovës
Sot në autostrada të Kosovës s’ka kufizim të qarkullimit të automjeteve me mbi 20 tonë