Prishtinë, 15 gusht 2026 10:55
Ekstremizmi fetar dhe format e ndryshme të radikalizimit vazhdojnë të jenë çështje që kërkojnë vëmendje të institucioneve të sigurisë, veçanërisht kur bëhet fjalë për ideologji që mund të nxisin intolerancë, përçarje, përjashtim apo diskriminim. Në këtë kuadër, aktivitetet e predikuesve fetarë nga jashtë Kosovës paraqesin një aspekt që, sipas ekspertëve të sigurisë, duhet të vlerësohet me kujdes, duke u fokusuar te përmbajtja e mesazheve dhe ndikimi i tyre i mundshëm në shoqëri.
Kjo çështje është rikthyer në vëmendje pas shoqërimit nga Policia e Kosovës të predikuesit boshnjak Elvedin Peziq, të enjten në Pejë, para një aktiviteti fetar që ishte planifikuar të mbahej në Vitomiricë.
Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli, thotë për Veritasinfo se rasti duhet të trajtohet me kujdes dhe mbi bazën e fakteve të verifikuara nga institucionet përgjegjëse. Sipas tij, nga ajo që është raportuar publikisht, Peziq promovon interpretime me prirje salafiste të Islamit dhe është i njohur për qëndrime kontroverse mbi çështje shoqërore.
“Shqetësimi nuk duhet të kufizohet vetëm te një kategori e caktuar, por te çdo mesazh që mund të dëmtojë barazinë qytetare, dinjitetin njerëzor, kohezionin shoqëror dhe vlerat demokratike e pluraliste”, thotë Vrajolli.
Ai thekson se institucionet e rendit dhe sigurisë duhet të përcaktojnë mbi bazën e provave konkrete nëse një aktivitet fetar tejkalon atë që lejohet me ligj. Sipas tij, duhet të analizohet përmbajtja e ligjëratave, ndikimi i tyre në rendin publik dhe nëse ato nxisin urrejtje, diskriminim apo cenim të të drejtave të të tjerëve.
“Institucionet duhet të ndërmarrin masa të kujdesshme dhe të qëndrueshme parandaluese për të shmangur që Kosova të bëhet hapësirë për ndikime që mund të dëmtojnë kohezionin shoqëror, barazinë qytetare dhe respektimin e dinjitetit njerëzor”, shprehet ai.
Vrajolli, megjithatë, thotë se në këtë fazë nuk duhet të nxirren përfundime më të gjera vetëm nga rasti i Peziqit. Në mungesë të rezultateve zyrtare të institucioneve, sipas tij, rasti duhet të shihet para së gjithash si “një veprim konkret institucional i cili ndërlidhet me parandalimin e një aktiviteti specifik”.
Por ai vlerëson se rasti shërben si një rikujtim për nevojën e monitorimit të vazhdueshëm të të gjitha formave të ekstremizmit dhe radikalizimit, edhe kur ato nuk shfaqen përmes dhunës.
“Ulja e nivelit të kërcënimit nuk nënkupton zhdukjen e plotë të faktorëve të rrezikut”, thotë Vrajolli, duke shtuar se sfida sot është më pak e lidhur me mobilizimin drejt konflikteve të huaja apo organizimet e strukturuara ekstremiste dhe më shumë me ndikimet afatgjata të ideologjive përjashtuese.
Sipas tij, këto ideologji mund të kufizojnë tolerancën dhe pranimin e dallimeve brenda shoqërisë. Për këtë arsye, institucionet duhet të vazhdojnë monitorimin profesional dhe proporcional të këtyre fenomeneve, me fokus në parandalim, edukim dhe forcimin e reziliencës shoqërore.
Në të njëjtën kohë, Vrajolli nënvizon se lufta kundër ekstremizmit duhet të zhvillohet pa stigmatizuar komunitete apo besimtarë të caktuar, duke bërë dallimin e qartë mes ushtrimit të besimit fetar dhe përhapjes së ideologjive që mund të cenojnë të drejtat dhe liritë e të tjerëve.

Shala: Policia e Kosovës pritet të marrë përgjegjësi më të mëdha për sigurinë e brezit kufitar me Serbinë
Kosovari i arrestuar nga Serbia nën dyshimet për krime lufte, s’është veteran i UÇK-së
Serbia ia cakton një muaj paraburgim kosovarit të arrestuar “nën dyshime për krime lufte
Sveçla paralajmëron shërbime më të shpejta për qytetarët: Ndryshon zyra për shtetësi
Ndalen punimet në 9 gurthyes ilegalë!
Të dyshuarit për spinazh F.S. i caktohet parapurgim 30 ditë
Dy sfida për tri pikët, Superliga vazhdon sot
Vrajolli: Kosova duhet të ruhet nga ekstremizmi fetar dhe predikuesit nga jashtë saj që nxisin intolerancë dhe përjashtim
Gërmimet në Kalludër, gjenden mbetjet eshtërore të tre personave