Prishtinë, 4 gusht 2026 19:03
Paraqitja e një lokacioni të tretë nën hetim në Zubin Potok shënon zgjerimin e aksionit të Prokurorisë Speciale në kuadër të hetimeve për krime lufte. Pas gjetjes së mbetjeve mortore në Jabukë dhe vazhdimit të gërmimeve në Kalludër të Vogël, Prokuroria e Kosovës ka konfirmuar se veprimet hetimore tashmë po zhvillohen edhe në një vend të tretë, detajet e të cilit nuk janë bërë publike.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, hetimet po zhvillohen në koordinim me Policinë e Kosovës dhe deri më tani janë arrestuar tre persona, të dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Prokuroria bën të ditur se gjatë hetimeve janë kontrolluar disa lokacione. Në fshatin Jabukë janë gjetur mbetje mortore, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së për identifikim, ndërsa gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël vazhdojnë.
Ndërkohë, hetimet janë shtrirë edhe në një lokacion të tretë. Prokurorja e rastit ka qenë në vendngjarje së bashku me hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe ekspertët forenzikë, për të mbikëqyrur zhvillimin e veprimeve hetimore.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se, për shkak të fazës së ndjeshme të hetimeve, nuk mund të japë informacione të tjera në këtë fazë, duke shtuar se detaje shtesë do të publikohen sapo kjo të jetë e mundur pa cenuar procesin hetimor.

Mjeku që shërbeu në luftë, pas 27 vitesh identifikohet përmes ADN-së
Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Kurti: Shëndeti mendor i fëmijëve të jetë pjesë e politikave shtetërore
Operacion i madh kundër narkotikëve, pesë të arrestuar dhe heroinë mbi gjysmë milioni euro
Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës