Mitrovicë, 4 gusht 2026 09:20
Brenda pak ditësh, u zbuluan mbetje njerëzore, u arrestua një tjetër i dyshuar për krime lufte, u identifikua një vendndodhje tjetër e dyshuar për mbetje mortore dhe një shtetas i Kosovës u arrestua në Serbi nën dyshimin për spiunazh.
Në fshatin Kalludër e Vogël, një fshat malor në komunën veriore të Zubin Potokut në Kosovë, gërmimet filluan më 28 korrik për shkak të dyshimeve për ekzistencën e një varri masiv.
Sipas autoriteteve, gërmimet filluan pas një hetimi pothuajse dyvjeçar nga Zyra e Prokurorit Special të Kosovës.
Disa ditë para fillimit të gërmimeve, u arrestuan dy persona të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile. Sipas Prokurorisë, çështja e tyre lidhet me këto gërmime.
Edhe pse detajet e sakta për atë se për çfarë dyshohen dy të arrestuarit nuk janë bërë publike, për njërin prej tyre policia tha se gjeti prova se ai ishte një “anëtar i mobilizuar dhe aktiv gjatë luftës në ish-Ushtrinë Jugosllave”.
Dy të dyshuarit, M.J. dhe M.B., aktualisht ndodhen në paraburgim.
Më 2 gusht, Policia e Kosovës arrestoi edhe një person tjetër në lidhje me të njëjtin rast. Zyra e Prokurorit Special njoftoi se arrestimi i J.R. është rezultat i hetimeve të mëtejshme, por nuk dha detaje rreth rolit të tij të dyshuar.
Avokati i të akuzuarit M.B., Dejan Vasiq, i tha Radios Evropa e Lirë se klienti i tij dyshohet të jetë në mesin e personave që kanë varrosur viktimat e ngjarjeve të përmendura në kërkesën për paraburgim.
“Ai është i bindur se nuk ka të bëjë fare me këtë ngjarje, sepse nuk ishte fare në vendin e përmendur nga prokurori”, tha Vasiq.
Milosh Deleviq, avokat i të akuzuarit tjetër, M.J., nuk pranoi të jepte detaje rreth asaj për të cilën dyshohet klienti i tij, duke thënë vetëm se rasti është klasifikuar si krim lufte kundër popullsisë civile.
Çfarë dihet për varrin masiv në fshatin Kalludër e Vogël?
Ndërsa gërmimet vazhduan, autoritetet konfirmuan se mbetjet e gjetura ishin me origjinë njerëzore.
Që nga fillimi i gërmimeve, kanë ekzistuar dyshime se mbetjet në këtë vend, ku puna ende po vazhdon, mund t’i përkasin një grupi të caktuar shqiptarësh të zhdukur me forcë gjatë luftës së fundit.
Ky grup civilësh, i njohur si “grupi i intelektualëve”, është zhdukur që nga 19 prilli 1999. Midis tyre ishin mjekë, profesorë, avokatë dhe figura të tjera të shquara.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u tha mediave më 29 korrik se ekziston një dyshim fillestar se mbetjet mund t’i përkasin këtij grupi.
“Nuk mund të konfirmojmë se janë ata, por ky ishte dyshimi ynë i menjëhershëm. Megjithatë, duhet të presim që trupat e gërmuar të na tregojnë saktësisht se për çfarë bëhet fjalë”, tha Kurti.
Procesi i identifikimit tani është në duart e Institutit të Mjekësisë Ligjore, ndërsa autoritetet theksuan se vetëm analizat mjeko-ligjore dhe ato të ADN-së do të përcaktojnë identitetin e viktimave.
Zyra e Prokurorit Special u bëri thirrje mediave, qytetarëve dhe zyrtarëve të mos spekulojnë mbi identitetin e mbetjeve mortore.
“Është ende herët dhe deklaratat publike mund të dëmtojnë procesin e hetimit dhe, sigurisht, mund të shtrembërojnë edhe rezultatin përfundimtar”, tha Zyra e Prokurorit në një deklaratë.
Gërmime të reja në Zubin Potok
Më 2 gusht, Prokuroria dhe Policia njoftuan se është identifikuar një vendndodhje tjetër në fshatin Jabukë, pranë Zubin Potokut, ku dyshohet se mund të gjenden mbetje mortore.
Institucionet njoftuan se do të kërkojnë leje nga Gjykata Themelore në Prishtinë për të kryer gërmime edhe në këtë vendndodhje.
Një ditë para njoftimit të vendndodhjes së dytë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vizitoi vendin e gërmimeve në Kalludër të Vogël.
Ai tha se puna në terren mund të zgjasë “shumë javë, ndoshta edhe shumë muaj”, sepse eshtrat u gjetën të shpërndara përgjatë përroit.
Ai gjithashtu përsëriti thirrjen drejtuar Serbisë për të hapur arkivat shtetërore dhe ushtarake, duke thënë se ato mund të ndihmojnë në hedhjen dritë mbi fatin e personave të zhdukur.
Edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, reagoi pas njoftimit për vendndodhjen e dytë, duke e quajtur atë një “kujtesë të rëndë të krimeve të kryera gjatë luftës”.
Arrestim në Serbi
Ndërsa hetimet për varrin masiv të dyshuar vazhdonin në Zubin Potok, autoritetet serbe arrestuan një shtetas të Kosovës nën dyshimin për “spiunazh”.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, R.T. nga Lipjani u arrestua më 30 korrik në Kraljevë, ndërsa Gjykata e Lartë në atë qytet urdhëroi caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh.
Autoritetet serbe nuk kanë dhënë detaje mbi veprimet që i atribuohen, përveç se ai dyshohet për veprën penale të spiunazhit.
Megjithatë, disa burime në Kosovë i thanë Radios Evropa e Lirë se arrestimi lidhej me dyshimet se ai kishte dhënë informacione që çuan te vendi ku po zhvarrosen mbetjet në Zubin Potok.
Ministri në detyrë i Punës, Familjes dhe Transfereve, Andin Hoti, e përshkroi arrestimin e një personi që, sipas tij, ndihmoi në zbulimin e një varri masiv të dyshuar në Kosovë si një “përpjekje për të vrarë të vërtetën”.
“Ky nuk është një shtet që kërkon drejtësi. Ky është një aparat shtetëror që vazhdon të mbrojë kriminelët, të frikësojë dëshmitarët dhe të parandalojë zbulimin e fatit të personave të zhdukur. Çdo arrestim i tillë dërgon një mesazh të qartë: kushdo që flet për varre masive do të ndëshkohet”, shkroi Hoti në Facebook.
Ai nuk dha hollësi mbi pretendimin se personi u arrestua për shkak të ndihmës në zbulimin e varrit masiv dhe nuk ishte i disponueshëm për komente të mëtejshme.
Sipas të dhënave zyrtare, 1,579 persona rezultojnë ende të zhdukur nga lufta e viteve 1998–1999.

Të akuzuarit për Masakrën e Reçakut, në Serbi promovojnë mohimin e krimit
Krimineli serb i luftës, gjenerali në pension, Momir Stojanoviq, nën aktakuzë për krime lufte në Kosovë
Kandiq: Në Serbi nuk ka vullnet politik për hapjen e arkivave shtetërore
Kryeprokurori i Shtetit: Zbulimi i varrezave masive në Zubin Potok, detyrim ndaj viktimave dhe familjeve të tyre
Familja Berisha dyshon se zjarri në shtëpinë e saj ishte i qëllimshëm
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur: 4 trupat e zhvarrosur dyshohet se janë viktima lufte
Hetimi në Zubin Potok: Tre arrestime, mbetje njerëzore të gjetura dhe një vendndodhje e re