Prishtinë, 1 gusht 2026 10:25
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, vlerëson se vendosja e kamerave të paligjshme në veri të Kosovës duhet të analizohet në kontekstin e metodave të luftës hibride dhe mbledhjes së inteligjencës, duke theksuar se teknologjia po zëvendëson gjithnjë e më shumë rrjetet tradicionale të operimit në terren.
Sipas Shalës, sa herë që Serbia humb kapacitetin për të vepruar përmes strukturave të saj në terren, ajo, sipas analizës së tij, “zhvendos aktivitetin drejt metodave të luftës hibride”, duke përdorur mjete teknologjike për të siguruar mbledhje të vazhdueshme të informacionit.
Ai argumenton se, nëse kamerat e vendosura në mënyrë të paligjshme funksionojnë me SIM kartela aktive dhe lidhje interneti që mundëson transmetim të pandërprerë, atëherë ato nuk mund të konsiderohen vetëm pajisje regjistrimi. “Kemi të bëjmë me një infrastrukturë të aftë për të mbledhur inteligjencë në kohë reale”, shprehet Shala, duke shtuar se një rrjet i tillë mund të monitorojë lëvizjet e institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe të partnerëve ndërkombëtarë.
Sipas tij, objektivi i një infrastrukture të tillë nuk do të ishte vetëm vëzhgimi i rrugëve, por ndërtimi i një panorame operative mbi lëvizjet e Policisë së Kosovës, procedurat taktike, pikat e kontrollit, si dhe aktivitetet e KFOR-it, EULEX-it dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë. Në analizën e tij, një informacion i tillë mund të përdoret për planifikim dhe koordinim nga aktorë që synojnë të sfidojnë autoritetin institucional të Republikës së Kosovës.
Shala thekson se largimi i kamerave duhet parë si më shumë sesa një veprim teknik. “Ai përfaqëson një operacion kundër një infrastrukture të mundshme të mbledhjes së inteligjencës”, shkruan ai, duke shtuar se në konfliktet moderne kontrolli i informacionit është po aq i rëndësishëm sa kontrolli i territorit.
Ai vlerëson punën e Policisë së Kosovës në identifikimin dhe largimin e pajisjeve, por thekson se hetimet nuk duhet të ndalen vetëm te çmontimi i tyre. Sipas tij, autoritetet duhet të identifikojnë organizatorët, financuesit dhe administratorët e rrjeteve, si dhe të verifikojnë se kush financon SIM kartelat, trafikun e internetit dhe destinacionin e të dhënave të transmetuara.
Në këtë kuadër, Shala konsideron se një nga pistat kryesore të hetimit duhet të jetë verifikimi i çdo lidhjeje të mundshme me strukturat shtetërore të Serbisë, përfshirë, sipas tij, edhe Agjencinë e Inteligjencës së Sigurisë së Serbisë (BIA). Ai thekson se vetëm nëse një lidhje e tillë provohet nga institucionet kompetente, atëherë rasti do të mund të cilësohej si një operacion i organizuar i mbledhjes së inteligjencës me mbështetje shtetërore.
Në fund të analizës së tij, Shala ngre një sërë pyetjesh që, sipas tij, kërkojnë përgjigje nga institucionet përgjegjëse. Ai pyet se kush i vendosi dhe administronte kamerat, nëse ekzistojnë ende rrjete të organizuara të vëzhgimit në terren, cili ishte niveli i koordinimit ndërinstitucional dhe çfarë roli kanë mekanizmat e inteligjencës të KFOR-it dhe strukturat monitoruese të EULEX-it në identifikimin e infrastrukturave të tilla.
“Përgjigjet ndaj këtyre pyetjejeve janë shumë më të rëndësishme sesa vetë çmontimi i kamerave”, përfundon Shala, duke argumentuar se vetëm hetimet e plota do të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për një incident të izoluar apo për një arkitekturë më të gjerë të inteligjencës hibride që vazhdon të funksionojë në veri të Kosovës.

Nisin hetimet në Serbi për lirimin e Radoiçiqit pas sulmit në Banjskë
FSK-së i shtohen 12 kamionë ushtarakë, dhjetëra të tjerë priten më 2027
Kosova gati për Gazën, FSK-ja pret thirrjen për dislokim
209 rekrutë të rinj nisin stërvitjen ushtarake në FSK
FSK-ja avancon përgatitjen ushtarake përmes bashkëpunimit ndërkombëtar
Maqedonci: Gjatë pesë viteve u rekrutuan 3,220 ushtarë të rinj në FSK
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj
As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit