Prishtinë, 31 korrik 2026 12:48
Takimi koordinues i thirrur nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka rezultuar me dakordim që seanca konstituive e legjislaturës së 11-të të mbahet më 6 gusht.
Përfaqësuesit e partive parlamentare u pajtuan për datën e mbajtjes së seancës, ndërsa secili subjekt politik paraqiti qëndrimet e veta lidhur me procesin e konstituimit të institucioneve.
Pas takimit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se të gjitha përgatitjet teknike për konstituimin e legjislaturës së re tashmë kanë përfunduar dhe shprehu pritjen që më 6 gusht Kosova të ketë Kuvend të konstituuar.
“Procedura është e njohur për të gjithë. Përgatitjet e Kuvendit kanë përfunduar dhe uroj që më 6 gusht Kosova të arrijë të konstituojë Kuvendin e Republikës së Kosovës”, deklaroi Haxhiu.
Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, shefja e
Grupit Parlamentar, Arbërie Nagavci, konfirmoi se në takimin koordinues është dakorduar mbajtja e seancës konstituive më 6 gusht, sipas rendit të ditës të përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit.
“U dakorduam që, sipas ftesës, më 6 gusht të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së 11-të, sipas rendit të ditës të përcaktuar me rregullore”, tha Nagavci, duke shtuar se si subjekti fitues i zgjedhjeve, Vetëvendosje është e gatshme për konstituimin e institucioneve.
Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, deklaroi se PDK-ja do ta ushtrojë rolin e opozitës dhe kërkoi që procesi i konstituimit të Kuvendit të mos zvarritet.
“Ne ende nuk e dimë saktë se kush do të jetë në opozitë e kush në pushtet, por Partia Demokratike e Kosovës do të jetë në opozitë”, tha Çitaku.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, deputetja Jehona Lushaku-Sadriu bëri të ditur se në takim është rënë dakord që përgatitjet për seancën konstituive të zhvillohen në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“U dakorduam që të procedojmë në bazë të rregullores së punës edhe në bazë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Lushaku-Sadriu.
Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kritikoi shtyrjen e seancës deri më 6 gusht. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se partia e tij ka kërkuar që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt, duke e cilësuar të pajustifikueshme pritjen deri në ditët e fundit të afatit kushtetues.
“Shqetësimin e thellë dhe po ashtu kërkesën që konstituimi të ndodhë menjëherë. Është tërësisht e pakuptueshme për ne qysh ka mundësi për katër muaj ditë sa kemi ndenjur në Kuvend, gishtat i janë adresuar opozitës për moskonstituim të institucioneve, ndërsa rezultatet zgjedhore janë certifikuar tash e katër javë dhe ende nuk ka konstituim”, deklaroi Tahiri.

Kurti emëron 27 zëvendësministra
Seancë dëgjimore për Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën në Kongres, i ftuar zyrtari i State Departamentit
Kurti thirrje liderëve politikë: Ta zgjidhim çështjen e presidentit
Kurti premton pagë mesatare mbi 1 mijë euro dhe dyfishim të shtesave për fëmijë
Zgjidhet Qeveria Kurti 4
Nis seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për formimin e Qeverisë së re
Hamza: Vendimi ndaj krerëve nuk u bë në emër të popullit, por kundër shtetit të Kosovës
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është padrejtësi e papranueshme
Video-lajm: Protuestuesit revoltohen para ndërtesës së EULEX-it
Rama reagon pas vendimit në Hagë: `MARRE`