Prishtinë, 31 korrik 2026 08:08
Shqipëria dhe Serbia janë në diskutime për hapjen e dy zyrave konsullore: një zyrë shqiptare në Bujanoc, në Luginën e Preshevës, dhe një zyrë serbe në Shkodër. Lajmi është shoqëruar me reagime të shumta kundërshtuese në Shqipëri, jo vetëm nga opozita.Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, tha për mediat serbe se është arritur një marrëveshje në parim pas bisedimeve me homologun shqiptar, Ferit Hoxha. Ndërkohë, ministri shqiptar sqaroi se procesi është ende në fazën e shprehjes së kërkesës nga të dyja palët.
Reagimi i parë kundër një konsullate të Serbisë në Shkodër erdhi nga deputetja e pavarur, e sapolarguar nga Partia Socialiste, Marjana Koçeku, e cila përfaqëson Shkodrën në Kuvendin e Shqipërisë. Ajo argumentoi se hapja e një konsullate serbe në Shkodër ngre pikëpyetje për motivet e saj, duke iu referuar faktit se sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në qarkun e Shkodrës janë vetëm 54 persona të vetëdeklaruar si serbë.Ajo shprehet se para se të ndërmarrë hapa të tillë, Serbia ka ende çështje të rëndësishme të pazgjidhura me Kosovën, sidomos në dritën e deklaratës së fundit të ministres serbe, Snezhana Paunoviq, e cila tha se po të ishte në krye të shtetit më 1998 do ta “spastronte etnikisht” Kosovën.
”Do kishte qenë e udhës që edhe autoritetet shqiptare të kishin mbajtur një qëndrim më të fortë”, thotë deputetja Koçeku.Ministri i jashtëm Ferit Hoxha shpjegon në reagimin e tij se vendimi bazohet në reciprocitet.
“Kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht barazi në përmbajtje, në objektiva apo në interesat e secilës palë. Reciprociteti është qasja mbi të cilën ndërtohet mirëkuptimi ndërmjet shteteve, jo një masë mekanike me të cilën maten veprimet apo rezultatet”, thotë Hoxha.Sipas tij, synimi dhe interesi i Shqipërisë është të krijojë më në fund një prani konsullore të përhershme në Luginën e Preshevës – term për tri komunat në jug të Serbisë, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, ku jetojnë shqiptarë.
Me habi e sheh këtë lajm edhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, një ndër figurat e rëndësishme në Partinë Socialiste, i cili ka drejtuar qeverinë gjatë luftës në Kosovë më 1998-99.Ai thotë se “Serbia në Shkodër ka marrë më shumë se një konsullatë”.
“Kundrejt hapjes së konsullatës serbe në Shkodër do të hapet konsullata shqiptare në Luginën e Preshevës. Krahasimi është më shumë se një ironi…! Lugina e Preshevës është një vazhdimësi territoriale e banuar nga shqiptarët e mbetur në sovranitetin e Serbisë. Konsullata në Luginën e Preshevës “shmang” Kosovën. Në Shkodër, konsullata serbe ka Malin e Zi në mes. Për Shqipërinë duket se konsullata është trajtuar si shprehje e interesit standard. Për Serbinë, që nuk njeh sovranitetin e Kosovës dhe diskuton identitetin e Malit të Zi, është diçka tjetër”, argumenton Majko.Ministri Hoxha thotë se është e çuditshme, madje e vështirë për t’u kuptuar, që shumë prej reagimeve e anashkalojnë atë që përtë është thelbësore: interesin e Shqipërisë dhe përfitimin që sjell krijimi i një pranie konsullore shqiptare në Luginën e Preshevës.
Ai thekson se debati nuk duhet të zhvendoset te hamendësimet mbi interesat e supozuara të palës tjetër. Politika jonë e jashtme, thotë ministri Hoxha, nuk ndërtohet mbi emocione apo perceptime, por mbi interesin kombëtar, respektimin e normave dhe praktikave të së drejtës ndërkombëtare, si dhe mbi frymën dhe vlerat evropiane.Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili drejtoi diplomacinë shqiptare nga viti 2013 deri në janar 2019, reagoi në rrjetet sociale duke shprehur shpresën që lajmi të mos jetë i vërtetë.
“Një konsullatë e Serbisë në Shkodër nuk reflekton realitetin historik, peshën e pakicës serbe në zonë dhe vendos padrejtësisht shenjë barazimi me shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës”, shkruan Bushati.Sipas tij, një vendim i tillë do të ishte një hap i gabuar në një kohë kur Serbia mban retorikë të ashpër ndaj Kosovës dhe vijon politika asimiluese ndaj pakicës malazeze në Shqipëri.

Konstituimi i Kuvendit, Haxhiu mban sot takim me përfaqësuesit e partive politike
Abdixhiku rikonfirmohet kryetar i LDK-së
Haxhiu kërkon dënimin e retorikës serbe
Kandiç i kërkon Serbisë të përballet me krimet e luftës
Avokati Ivan Niniq kërkon rishikim të punës së Prokurorisë Publike për krim të organizuar në rastin “Panda” të vitit 1998
Kërkesa e Serbisë për konsullatë në Shkodër ngjall kundërshtime në Tiranë
Sot mbahet seanca për 21 të akuzuarit për krime lufte
Mashtrim me prona në vlerë 1.55 milion euro, Prokuroria ndalon dy të dyshuar