Prishtinë, 22 korrik 2026 19:24
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se ankandi për parkun solar me kapacitet prej 105 megavatësh përbën një nga investimet më të mëdha në sektorin e energjisë në Kosovë në dekadat e fundit, duke theksuar se projekti ka rritur besimin e investitorëve dhe ka vendosur Kosovën në hartën e investimeve në burime të ripërtëritshme të energjisë.
Duke folur në RTK, Rizvanolli tha se procesi është zhvilluar në mënyrë konkurruese dhe transparente.
“Po përveç që është një ndër investimet më të mëdha praktikisht në katër dekadat e fundit që prej se është ndërtuar termocentrali, ky ankand është i rëndësishëm për ne sepse ka qenë ankandi i parë që e kemi zhvilluar. Ankandi është një proces konkurrues dhe e kemi bërë në mënyrë shumë konkurruese, transparente, që ka qenë model”, tha Rizvanolli.
Sipas saj është marrë si shembull nga asociacioni i rregullatorëve të Evropës në energji edhe e ka vënë në një mënyre Kosovën në hartën e investimeve të burimeve të ripërtëritshme, por edhe ka krijuar besimin e investitorëve.
“Kjo për faktin që nga tre investitorët që kanë qenë në herën e parë që kanë konkuruar përveç konsorciumit që e ka fituar, dy të tjerë i kemi që po konkurojnë në ankandin e erës që e kemi tash edhe një tjetër tashmë po investon në energji të erës në Kosovë. Do të thotë kemi arritur që edhe te ato kompani ose konsorciumet që nuk kanë fituar ta krijojmë besimin që gjithçka është fer, gjithçka është transparente dhe në shtetin e Kosovës, tek institucionet e Kosovës kanë një partner dhe një vend atraktiv për të investuar”, tha ajo.
Rizvanolli shtoi se projekti ka edhe një rëndësi të veçantë për diasporën, pasi realizohet nga investitorë me prejardhje nga Kosova.
“Ankandi i parë solar, ndërtimin e kapaciteteve të të cilit e inauguruam javën që shkoi së bashku me kryeministrin, mirëpo edhe me investitorët që ishin këtu nga Zvicra, e ka edhe një domethënie për Kosovën sepse kemi një investitor serioz nga diaspora, kompaninë Orllati që janë me prejardhje pikërisht nga Rahoveci por që një kohë të gjatë punojnë në Zvicër dhe janë një ndër kompanitë ndërtimore më të mëdha atje”, tha Rizvanolli.
Ajo ka thënë se ata kanë sjellë së bashku edhe kompaninë Holdinova që është i grupit Holdigaz, që është gjithashtu një ndër kompanitë më të mëdha në sektorin e energjisë në Zvicër.
“Pra është një investim i madh i diasporës dhe i huaj që në një farë mënyre tregon që po hyjmë në një fazë të re ku diaspora po kontribuon me investime të mëdha përveç përkrahjes që ka pasur gjithmonë për familjet, por edhe përkrahjes, investimeve të vazhdueshme që kanë ndodhur në sektorë të ndryshëm”, shtoi ajo.
Ministrja bëri të ditur se punimet tashmë kanë nisur dhe se projekti pritet të vihet në funksion gjatë pranverës së ardhshme.
“Tashmë puna ndërtimore ka filluar atje pas një kohe kur janë marrë lejet, janë kryer punët e tjera administrative, ndërsa pritet që në pranverë, pra pas rreth tetë muajve, të jetë në funksion dhe që në pranverën tjetër të jetë në funksion. Punët kanë me shku në disa faza, apo derisa të kompletohet. Do të thotë komisionohet pasi të përfundojë i tërë projekti”, tha Rizvanolli.
Ajo theksoi se janë 1 milion e 200 mijë metra katrorë që do të mbulohen me panele solare.
“Pra po flasim për një projekt që është ndër më të mëdhenjtë edhe në rajon”.
Rizvanolli foli edhe për skemën e granteve për energji të pastër për bizneset, duke kujtuar rezultatet e programeve të mëhershme.
“Ne në vitet e kaluara me përkrahjen e Bashkimit Evropian si Ministri e Ekonomisë kemi përkrahur mbi 150 biznese qoftë për pajisje të ngrohjes efiçiente, qoftë sisteme solare. Sidomos sistemet solare, qoftë për ngrohjen e ujit, qoftë për prodhim të energjisë elektrike, kanë qenë shumë të popullarizuara në mesin e bizneseve”, tha ajo.
Sipas ministres në detyrë të Ekonomisë, edhe në vizitat që kanë pasur te disa prej këtyre bizneseve, sidomos te bizneset prodhuese dhe ato shërbyese, kanë parë se faturat e energjisë elektrike pas instalimit të paneleve solare janë ulur për deri në 50 për qind.
Sipas saj, aktualisht është e hapur faza e dytë e skemës së granteve, e cila mbështetet nga Qeveria e Luksemburgut.
“Për skemën që e kemi të hapur aktualisht është skema e granteve për energji të pastër quhet. Aplikimi mund të bëhet përmes portalit e-Kosova, ndërsa detajet rreth skemës mund të gjenden në faqen e Ministrisë së Ekonomisë dhe në uebfaqen e KIESA-s. Mund të përfitojnë të gjitha bizneset që janë prodhuese ose përpunuese”, nënvizoi Rizvanolli.
Ajo tha se bizneset mund të përfitojnë deri në 25 mijë euro, derisa sqaroi se skema mbështet tri kategori investimesh.
“E para janë sistemet solare për ngrohje të ujit ose sistemet solare për prodhim të energjisë elektrike, fotovoltaike që ju themi, ose investimi në bateri nëse veç ka një sistem solar kompania dhe dëshiron të investojë në bateri, gjithashtu edhe kjo është e mundshme. Masa e dytë të cilën po e bëjmë për herë të parë së bashku me bateritë, është masat e efiçiencës në ndërtesa të bizneseve. Do të thotë siç e kemi pasur masën më herët për familje, ku familjet mund të izolonin shtëpitë e tyre ose çatinë, ose të ndërronin dyert e dritaret, tash kjo masë është në dispozicion për bizneset. Masa e tretë është për të përkrahur bizneset për të blerë pajisje që ulin konsumin e energjisë në linjat e prodhimit. Pra i bëjnë linjat e prodhimit më efiçiente”, tha Rizvanolli.
Ajo njoftoi se afati për aplikim mbetet i hapur deri më 27 korrik.
Rizvanolli bëri të ditur se, pas këtij projekti dhe ankandit të erës që është aktualisht i hapur, Qeveria synon të vazhdojë me investime të reja në energjinë e ripërtëritshme.
“Sigurisht përveç ankandit të erës që e kemi të hapur aktualisht dhe përveç një projekti të erës 70 megavat në Zatriq që është duke u ndërtuar, në të ardhmen do të kemi edhe ankande të tjera edhe për energji solare edhe për energji të erës”.

Mashtrim online në emër të Policisë së Kosovës, qytetarët paralajmërohen për dokumente false
5 milionë euro për sektorin e energjisë, nënshkruhet marrëveshja mes Ministrisë së Financave dhe Bankës Gjermane për Zhvillim
Kurti: Kosova po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për investime
Ujmani, fundi i një privilegji për zyrtarët e lartë të Listës Serbe dhe njerëzve të afërt me ta
16 vjet nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare pro pavarësisë së Kosovës
Instituti Hidrometeorologjik jep alarm portokalli për stuhi në gjithë Kosovën sot
Elshani: Kthimi në punë i policëve të dorëhequr, është i pamundur
FSK ndërhyn në Sverkë të Pejës pas shpërthimit të zjarrit në deponinë e mbeturinave