Prishtinë, 22 korrik 2026 08:10
Ministri i Administratës Publike i Malit të Zi, Marash Dukaj, ka reaguar ndaj deklaratës së miratuar nga Kuvendi Komunal i Plevlës për mosnjohjen e vendimit të Malit të Zi për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke vlerësuar se një veprim i tillë nuk i shërben të ardhmes evropiane të shtetit.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, Dukaj tha se këshilltarët komunalë kanë marrë përsipër kompetenca kushtetuese dhe juridike që nuk u takojnë, duke theksuar se, ndonëse respekton lirinë e shprehjes, ajo nuk duhet të cenojë marrëdhëniet e mira fqinjësore.
“Nuk është mirë që këshilltarët komunalë të Plevlës i kanë përvetësuar elemente kushtetuese dhe juridike që nuk u takojnë, ndonëse nuk më pengon që demokracia e mendimit të lirë të shtrihet në të gjitha sferat e shoqërisë, por pa cenuar marrëdhëniet e mira fqinjësore, të cilat janë qëllimi parësor i vendit tonë”, ka shkruar Dukaj.
Ai shtoi se prioritet i autoriteteve lokale duhet të jenë problemet dhe nevojat e qytetarëve, e jo temat që, sipas tij, ushqejnë ndarje politike.
“Plevla dhe politikanët atje ua kanë borxh qytetarëve të tyre kushte më të mira për një mjedis të shëndetshëm jetese, zhvillim të qëndrueshëm, e jo vendosjen në plan të parë të ideologjive politike partikulariste dhe rajonale, të cilat nuk janë në interes të Malit të Zi të sotëm”, theksoi ministri.
Reagimi i Dukajt erdhi pasi Kuvendi Komunal i Plevlës miratoi të martën një deklaratë pa fuqi juridike për mosnjohjen e vendimit të Malit të Zi për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj