Prishtinë, 21 korrik 2026, 09:00
Vendimi i djeshëm i Këshillit Prokurorial të Kosovës nuk mund të kuptohet pa kontekstin e zhvillimeve të nëntorit 2022, kur Lista Serbe vendosi të bojkotojë institucionet e Republikës së Kosovës.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia, si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, pati deklaruar kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas takimit me serbët që punonin në institucionet e Republikës së Kosovës, në nëntorin e vitit 2022.
Pas këtij vendimi nisi një valë dorëheqjesh të koordinuara të zyrtarëve serbë nga Policia e Kosovës, sistemi gjyqësor, prokuroria dhe administrata publike në komunat me shumicë serbe. Në mesin e tyre ishin edhe pesë prokurorët e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe 15 anëtarë të stafit mbështetës, të cilët ndërprenë marrëdhënien e punës me sistemin prokurorial.
Edhe pse dorëheqjet u paraqitën individualisht, ato ndodhën në kuadër të një veprimi kolektiv të nxitur nga vendimi i Listës Serbe për largimin nga institucionet. Në atë kohë, ky subjekt politik e paraqiti bojkotin si një formë kundërshtimi ndaj institucioneve të Kosovës, ndërsa zyrtarët serbë që ishin integruar ndër vite në institucionet shtetërore iu përgjigjën kësaj thirrjeje duke braktisur vendet e tyre të punës.
Pas gjithë kësaj periudhe, prokurorët serbë filluan të paraqesin kërkesa pranë Prokurorisë së Kosovës për tërheqjen e dorëheqjeve, duke u përballur me pasojat e atij vendimi politik të Listës Serbe.
Në këtë mënyrë, Këshilli Prokurorial i Kosovës refuzoi dje të pranojë kërkesën e prokurorëve për tërheqjen e dorëheqjeve, duke theksuar se rikthimi i tyre mund të bëhet vetëm përmes procedurave të rregullta të rekrutimit, ashtu si për çdo kandidat tjetër. Kjo nënkupton se vendet e punës, të cilat u braktisën në vitin 2022, nuk mund të rikthehen përmes anulimit të dorëheqjeve të dhëna në atë kohë.
Rasti i pesë prokurorëve konsiderohet një nga shembujt më konkretë të kostos që mund të kenë vendimet politike mbi karrierën profesionale të zyrtarëve publikë. Ndërsa bojkoti i institucioneve u promovua nga Lista Serbe si një veprim politik, pasojat juridike dhe profesionale të atyre dorëheqjeve sot po i bartin vetë prokurorët dhe stafi mbështetës, të cilët mbetën jashtë sistemit të drejtësisë.
Institucionet e Kosovës u detyruan të ndërmarrin masa për plotësimin e vendeve të lira dhe për rikthimin e funksionimit normal të sistemit të drejtësisë.
Vendimi i fundit i KPK-së shënon mbylljen institucionale të një procesi që filloi me bojkotin e vitit 2022 dhe dërgon mesazhin se dorëheqjet e paraqitura në kuadër të atij procesi prodhojnë pasoja juridike, të cilat nuk mund të zhbëhen thjesht përmes një kërkese për tërheqje.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj