Prishtinë, 15 korrik 2026 18:28
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se janë rikthyer në procedurë të gjitha rastet për pajisje me Pëlqim Mjedisor, në të cilat procesi i konsultimit publik nuk ka përmbushur standardet ligjore.
Sipas njoftimit të ministres Pacolli, vendimi synon të forcojë transparencën dhe përfshirjen e qytetarëve në proceset vendimmarrëse që lidhen me mbrojtjen e mjedisit.
Ajo ka theksuar se qytetarët duhet të kenë rol aktiv në këto procese, duke vlerësuar se vendimmarrja e drejtë për mjedisin nuk mund të bëhet pa zërin dhe pjesëmarrjen e komuniteteve.
Me vendimin e ri, do të rishqyrtohen lëndët ku Raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) nuk ka qenë i qasshëm për publikun ose ku nuk janë respektuar procedurat ligjore të konsultimit publik.
Ajo ka bërë të qartë se asnjë Pëlqim Mjedisor nuk do të jepet pa u zhvilluar një proces konsultimi publik i rregullt, transparent dhe gjithëpërfshirës.
Pas përsëritjes së procedurave dhe sigurimit të qasjes në dokumentacionin e VNM-së, operatorët ekonomikë dhe hartuesit e raporteve do të obligohen të zhvillojnë forma shtesë të konsultimit me komunitetin, përmes takimeve fizike apo komunikimit elektronik, duke dokumentuar të gjithë procesin.
Sipas Pacollit, ky vendim synon që pjesëmarrja e qytetarëve të mos mbetet vetëm një kërkesë formale, por të shndërrohet në një element thelbësor të politikave mjedisore.
“Qytetarët janë aleatët tanë më të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit”, ka deklaruar ministrja, duke theksuar se komunitetet do të jenë partnerë në hartimin dhe zbatimin e politikave për një mjedis më të mbrojtur.

Pas 27 vitesh, Trepça rikthen në menaxhim pronën në Zveçan
Kurti: Gjaku i dëshmorëve është në themelet e Republikës
58 të vdekur në trafik për shtatë muaj, mbi 12 mijë aksidente
“Të paktën një vend ku mund të vendosim lule”
Pacolli: 7 gurthyesve u ndalohen punimet, ndërsa 3 të tjerë gjobiten me 7 mijë €
Sot mbahet provimi i Maturës
Kamberi: Serbia s`mund të integrohet në BE duke glorifikuar kriminelët e luftës
Laura e argjendtë – medalja e pestë për Kosovën