Prishtinë, 24 qershor 2026 12:04
Maestro Hazir Reka, ka rihapur arkivin e fotografive të tij që shënuan një epokë. “Dalja n’dritë” rikthehet nëpërmjet aparatit fotografik në horizontet e Minierës së Trepçës, për të ringjallur një kapitull unik që përthekon ngjarje madhore të vitit 1988 e 1989 të cilat shkundën ish-Jugosllavinë. Greva mobilizoi shqiptarët, ngjalli solidarizim dhe i tregoi regjimit të Serbisë se mund të përballet edhe me rezistencë. Krejt këto e shumë më shumë lexohen në fotografitë e Rekës.
Greva e Minatorëve të Trepçës më 1989 për shumë studiues është njëfarë vije ku ndahen kohët. Të shumtë janë ata që vijnë në përfundim se shembja e ish-Jugosllavisë nisi pikërisht në Kosovë dhe atë rreth 850 metra nën sipërfaqen e tokës, në horizontet e Minierës së Trepçës në Stantërg.
Historia e atyre tetë ditëve të shkurtit s’bëhet kurrë e plotë. Secili rrëfim i rreth një mijë e 30 minatorëve është histori më vete. Përtej simbolikës, greva dha shumë efekte. Mobilizoi shqiptarët, ngjalli solidarizim dhe i tregoi regjimit të Serbisë se mund të përballet edhe me rezistencë. Krejt këto e shumë më shumë lexohen në fotografitë e Hazir Rekës.
I shoqëruar nga gazetarët Blerim Shala e Halil Matoshi, Reka do të zbriste te minatorët për të rrëfyer atë që shihte nëpërmjet objektivit të tij si fotoreporter. Një pjesë e atyre fotografive sot duken si eksponate. Dhe të tilla janë. Shpërfaqin ditët kur historia e Kosovës dhe e krejt ish-Jugosllavisë po ndryshonte. Shkrepjet e Rekës, asokohe për “Zërin e Rinisë”, tregojnë një shfaqje pakënaqësie e rezistence të punëtorëve të minierës. Bashkojnë portretet që tash mund të shihen edhe si aktorët kryesorë të një drame kolektive që dikur kërkonin të drejtat e tyre. Imazhet përshkruajnë minatorët në demonstratat e vitit 1988 dhe grevën e vitit 1989.
Në ekspozitën “Dalja n’dritë”, e hapur në “Vila 1925” në Prishtinë, krejt afër ndërtesës së Komunës, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se fotografitë nuk paraqesin vetëm ngjarje historike, ato ruajnë fytyrat e njerëzve që qëndruan të palëkundur në mbrojtje të të drejtave të tyre dhe të të gjithëve.
“Në secilin imazh shohim guximin, solidaritetin dhe këmbënguljen e atyre burrave dhe grave që u bënë simbol i qëndresës në Kosovë. Kjo ekspozitë na rikujton se historia nuk jeton vetëm në libra, ajo jeton në kujtime e dëshmi e në fotografi si këto, të cilat i kanë mbijetuar kohës për të na treguar se nga kemi ardhur dhe në çfarë sakrificash janë bërë gjatë rrugës që kemi ndjekur si popull”, ka thënë ai. Sipas Kurtit, Hazir Reka nëpërmjet objektivit të tij ka lënë një arkiv të kujtesës kolektive.
Shkrimtari Halil Matoshi, koleg gazetar i Rekës, në atë kohë dhe mik i tij, ka thënë se tregimi më i dhimbshëm, por edhe më frymëzues i mbijetesës në epokën tonë lidhet me minatorët. Ka treguar se 33 minatorë të Kilit, në San José, më 5 gusht 2010 u bllokuan në 700 metra thellësi në shkretëtirën Atacama. Ka thënë se një dokumentar i realizuar për ata ka frymëzuar kombëtaren e Kilit në futboll. Sipas tij, rrëfimi i minatorëve të Kosovës duhet të frymëzojë kombëtaren në futboll e edhe politikanët.
“Drama ndodh në katin e shtatë të përmbysur, ku drita e diellit nuk ndrit, por merr formën e syve njerëzorë që nxjerrin gacrria.
Minatorët u shndërruan në skulptura të njerëzve që lypin liri.
Monumente të gjalla prej mishi e të lyera me plumb, duke rrahur me kazmat e fundit të shpirtit portat e ndryshkura të një regjimi gjakatar, skaliten me britmën e tyre sagën për lirinë e Kosovës.
Një komb u kryengrit duke u motivuar nga gatishmëria për flijim e këtyre minatorëve”, ka thënë ai. Sipas tij, minatorët së bashku me liderët e tyre, Aziz Abrashi e Burhan Kavaja, ia dhanë goditjen e parë këtij fashizmi.
“Goditja e dytë ishin dy gishtat e rezistencës rugoviane dhe e treta, për finale, plumbi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Matoshi. Sipas tij, kujtesës kolektive të kombit, pa historinë e treguar përmes fotografive të maestro Rekës, do t’i mungonte akti sublim i dramës, klithma.

Kurti: Diversiteti kulturor, një nga pasuritë e mëdha të Kosovës
“Unë jam Majlinda Kelmendi”- libri që bëri bujë në panair
Artistja Hamiti përfaqëson Kosovën në Manifesta 16 në Gjermani
Ekspozita “Sy me sy” rrëfen plagët e luftës
Kosova në Berlin: Ekspozita “28 Minuta” nderon rolin e Gjermanisë në vitin 1999
Sot hapet Panairi i 26-të i Librit “Prishtina 2026”
Shefi i EULEX-it: Angazhimi i shteteve evropiane për Kosovën mbetet i palëkundur
Mitrovica nis instalimin e kamerave të sigurisë, synon mbulimin e të gjithë qytetit deri në fund të vitit
“Dalja n’dritë” me minatorët që shkundën themelet e ish-Jugosllavisë
Emërohet Komisioni për Kompensimin e Viktimave të Krimit