Prishtinë, 23 qershor 2026 14:03
Përfaqësuesit e institucioneve të Avokatit të Popullit të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë theksuar nevojën për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe krijimin e një partneriteti të qëndrueshëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Gjatë një takimi trepalësh, palët diskutuan për shkëmbimin e përvojave institucionale, trajtimin e rasteve ndërkufitare dhe forcimin e mekanizmave të bashkëpunimit në çështje që prekin drejtpërdrejt qytetarët e tri vendeve.
Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, vlerësoi rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional, duke theksuar se bashkëpunimi rajonal mundëson trajtim më efikas të rasteve dhe adresim më të shpejtë të sfidave që lidhen me të drejtat e njeriut, veçanërisht në rastet me karakter ndërkufitar.
Sipas tij, ndër temat kryesore të diskutuara ishin problemet me dokumentacionin, të drejtat civile, si dhe mundësia e krijimit të mekanizmave të përbashkët për monitorimin e zbatimit të marrëveshjeve ndërmjet shteteve. Ai theksoi gjithashtu nevojën për t’i kushtuar vëmendje të veçantë shërbimeve shëndetësore për qytetarët që lëvizin mes vendeve të rajonit.
Në anën tjetër, Avokati i Popullit i Shqipërisë, Endrit Shabani, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit në trajtimin e rasteve ndërkufitare, duke përmendur situatat kur qytetarët e Kosovës marrin shërbime në Shqipëri dhe hasin në vështirësi institucionale.
Ai bëri të ditur se po krijohen pika kontakti dhe mekanizma bashkëpunimi për trajtimin me prioritet të ankesave që paraqiten nga qytetarët e tri vendeve.
Shabani tha se çështjet ndërkufitare përfshijnë edhe problematika që lidhen me pronat, proceset gjyqësore, marrëdhëniet familjare mes personave me shtetësi të ndryshme, si dhe çështje mjedisore, përfshirë ndotjen e lumenjve që ndahen ndërmjet shteteve.
Ndërkaq, Avokati i Popullit në Maqedoninë e Veriut, Faton Selami, mbështeti forcimin e koordinimit rajonal, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt avancimit të standardeve për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
Pjesëmarrësit në takim vlerësuan se bashkëpunimi rajonal nuk duhet të kufizohet vetëm në trajtimin e rasteve individuale, por të shërbejë edhe për ndërtimin e mekanizmave të qëndrueshëm institucionalë, të cilët do të mundësojnë reagim më të shpejtë dhe më efektiv ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut në rajon.

BQK-ja dorëzon aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në SEPA, synohen pagesa më të lira dhe më të shpejta
Pas 15 muajsh në burgun e Serbisë, lirohet Behar Preniqi nga Obiliqi
Kosova dhe Banka Botërore nënshkruajnë marrëveshje për zhvillimin e Eko-Parqeve Industriale
Në Prilluzhë qytetari hedh në shitje shtëpinë për shkak të korrupsionit të Listës Serbe
Lidhjet e “Alta Bank” me Milan Radoiçiçin dhe Zvonko Veselinoviqin
Strategjia për Apelin në Hagë, Konjufca: Nuk do të bëhen publike diskutimet
Kosova me synime për dy sfidat e fundit në Ligën e Kombeve, publikohet lista
Aksident fatal te Stacioni i Autobusëve, humb jetën një këmbësore
Kurti: 20 baza policore janë ndërtuar e fuqizuar në veri të Kosovës