Prishtinë, 13 qershor 2026 16:59
Njohës të arsimit kanë vlerësuar se rënia e numrit të nxënësve dhe studentëve në Kosovë është pasojë e drejtpërdrejtë e trendit demografik, duke kërkuar përshtatje të politikave arsimore dhe fokus në rritjen e cilësisë në arsim.
Ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se rënia e numrit të nxënësve është rezultat i zvogëlimit të natalitetit dhe emigrimit.
“Po, unë mendoj se ky është një trend i pandalshëm demografik. Nëse krahasohen rezultatet e regjistrimit të vitit 2011 edhe 2024, numri i nxënësve në këtë periudhë ka rënë diku prej 28.5%. Po flas vetëm për arsimin parauniversitar. Dhe kjo është pasojë e zvogëlimit të natalitetit dhe e emigrimit jashtë vendit, më pak emigrimi, më shumë është zvogëlimi i natalitetit. E njëjta gjë reflektohet edhe në studimet universitare, përveç faktit që aty në një masë edhe ka humbur interesimi për studime, sidomos kjo vërehet te djemtë, kur shihen statistikat, sepse diku vetëm rreth 65% e djemve që përfundojnë maturën vazhdojnë studimet universitare”, tha ai.
Ai tha se kjo situatë duhet të shfrytëzohet për përmirësimin e cilësisë në arsim dhe racionalizimin e rrjetit të shkollave dhe programeve universitare.
“Pra, thjesht mendoj që masat që duhet ndërmerren në këtë rast është shfrytëzimi i situatës për ta përmirësuar cilësinë, se ka nevojë shumë të përmirësohet cilësia, si në arsimin parauniversitar, ashtu edhe në arsimin e lartë. Po ashtu, një masë tjetër që duhet të ndërmerret është racionalizimi i rrjetit të shkollave. Me të vërtetë ka mbetur një numër prej pothuajse 200-250 shkolla që janë shumë të vogla për të funksionuar si të pavarura, dhe ato faktikisht duke qenë ashtu të vogla edhe dëmtojnë cilësinë e mësimit, sepse numri i nxënësve në klasë është nën të gjitha standardet. Pra, ato shkolla thjesht duhet të integrohen me shkolla të afërta dhe nxënësit të transportohen, kuptohet në llogari të shtetit gjithnjë, në mënyrë që të kenë një arsimim sa më cilësor. Në arsimin e lartë, posaçërisht në atë publik, duhet menduar për racionalizimin e programeve. Ne për momentin kemi pesë fakultete juridike dhe pesë ekonomike vetëm në sektorin publik, dhe me të vërtetë nuk besoj se ka nevojë të mbahet një numër i tillë i programeve kur dihet që numri i studentëve po zvogëlohet në vazhdimësi”, tha ai.
Pupovci tha se ulja e natalitetit dhe plakja e popullsisë do të ndikojnë edhe në tregun e punës dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
“Shihni, këtë gjë vendet e tjera e kanë përjetuar më herët se ne. Ne po e përjetojmë tash. Ende kemi një, le të themi kështu, shtim pozitiv të popullsisë dhe ajo çka mund të ndodhë edhe çka veç po vërehet është, natyrisht, mungesa e fuqisë punëtore, plakja e popullsisë, ku shkaktohen pastaj probleme sepse numri më i madh i pensionistëve varet nga një numër më i vogël i atyre që punojnë, dhe kjo shkakton anomali në shoqëri. Në perspektivë, me një shkallë më të lartë të zhvillimit ekonomik, mund të lindin nevoja edhe për hapjen e kufijve për imigracion, që faktikisht krijon një situatë krejtësisht të re që shumë vende evropiane tanimë edhe e kanë provuar dhe ne sapo shohim, jemi në fillimet e saj. Pra, edhe te ne po ndodh, por jo në atë masën si ndodh në vendet evropiane”, tha ai.

Sveçla, nga Zubin-Potoku: Nuk do të ndalemi deri në gjetjen e trupit të fundit
Instituti i Mjekësisë Ligjore: Mbetjet mortore në Zubin-Potok janë të njerëzve, puna do të vazhdojë
Gjenden mbetje mortore, dyshohet se janë të 23 intelektualëve shqiptarë të zhdukur gjatë luftës në Kosovë
Marrëveshje bashkëpunimi mes ministrive, FSK pjesë e aksioneve për ambient të pastër
Njësitet e Policisë, EULEX-it në lokacionin e dyshuar për varrezë masive në Kalludër të Zubin Potokut
Shaqir Lutvija dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte
Një i vdekur dhe një i lënduar nga shembja e vinçit në Prishtinë