Prishtinë, 6 qershor 2026 19:15
Komiteti i Shërbimeve të Armatosura i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara (HASC) ka miratuar Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) për vitin fiskal 2027 dhe e ka përcjellë projektligjin e politikës së mbrojtjes me vlerë rreth 1.15 trilion dollarë drejt shqyrtimit të mëtejmë në Dhomën e Përfaqësuesve.
Miratimi i këtij projektligji erdhi pas një seance maratonike, gjatë së cilës u shqyrtuan rreth 900 amendamente, ndërsa votimi përfundimtar në komitet përfundoi me rezultatin 44–12, me mbështetjen e të gjithë republikanëve dhe pothuajse gjysmës së demokratëve.
Në kuadër të këtij legjislacioni është theksuar në mënyrë të veçantë rëndësia strategjike e kontributit të Shteteve të Bashkuara në misionin paqeruajtës të udhëhequr nga NATO në Kosovë, nëpërmjet KFOR-it, si një element kyç për ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe garantimin e sigurisë rajonale. Sipas Amendamentit të propozuar nga anëtari i Kongresit William R. Keating, ky kontribut i fuqishëm i SHBA-së në KFOR luan rol thelbësor në mbështetjen e paqes së qëndrueshme si dhe në fuqizimin e një Kosove demokratike.
Po ashtu, komiteti ka udhëzuar Nënsekretarin e Mbrojtjes, në bashkëpunim me Komandën Evropiane të Shteteve të Bashkuara, që deri më 1 mars 2027 t’i dorëzojë Kongresit një raport gjithëpërfshirës mbi kontributin e SHBA-së në KFOR.
Ky raport përfshinë periudhën që nga themelimi i misionit, përputhshmërinë e kapaciteteve aktuale me kërkesat operacionale, ndikimin e këtij kontributi në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe interesat amerikane në Kosovë, pasojat e mundshme të reduktimit të pranisë amerikane në mision, si dhe perceptimet e Kosovës dhe Serbisë lidhur me rolin e SHBA-së në KFOR.
Ky zhvillim riafirmon rëndësinë e vazhdueshme të angazhimit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë dhe kontributin për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në gjithë Ballkanin Perëndimor.
Ndryshe, Organizata Albanians For America ka ndërtuar ndër vite një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe të drejtpërdrejtë me ekipin e Kongresistit William R. Keating, Zëvendëskryetar i Nënkomitetit për Evropën në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së.

Nisin hetimet në Serbi për lirimin e Radoiçiqit pas sulmit në Banjskë
FSK-së i shtohen 12 kamionë ushtarakë, dhjetëra të tjerë priten më 2027
Kosova gati për Gazën, FSK-ja pret thirrjen për dislokim
209 rekrutë të rinj nisin stërvitjen ushtarake në FSK
FSK-ja avancon përgatitjen ushtarake përmes bashkëpunimit ndërkombëtar
Maqedonci: Gjatë pesë viteve u rekrutuan 3,220 ushtarë të rinj në FSK
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj
As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit