Prishtinë 2 Qershor 2026 17:16
Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, ka pritur në takim nxënësit e Shkollës së Muzikës, Artit dhe Baletit “Melody”, të cilët do të përfaqësojnë Kosovën në një festival ndërkombëtar që do të mbahet në Stamboll të Turqisë.
Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të shkollës dhe prindër të nxënësve, të cilët e vlerësuan këtë bashkëbisedim si një mbështetje dhe motivim para paraqitjes së tyre në festival.
Gjatë takimit, ministri Çeku theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së të rinjve në ngjarje ndërkombëtare, duke e cilësuar atë si një mundësi të mirë për promovimin e kulturës dhe arsimit muzikor të Kosovës.
“Pjesëmarrja në festivale ndërkombëtare është një mundësi e shkëlqyer që të rinjtë tanë të prezantojnë talentin e tyre, por edhe të promovojnë vlerat kulturore dhe artistike të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha Çeku.
Ai uroi nxënësit për suksese në festival dhe përgëzoi prindërit për përkushtimin e tyre në zhvillimin artistik të fëmijëve.
“Talentet e reja meritojnë mbështetje të vazhdueshme. Edukimi artistik dhe zhvillimi i aftësive muzikore ndikojnë drejtpërdrejt në formësimin e personalitetit dhe të ardhmes së tyre”, shtoi ministri.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, gjithsej 34 nxënës do ta përfaqësojnë Kosovën në festival përmes performancave në instrumente muzikore dhe solo-këndim, duke prezantuar talentin dhe vlerat artistike të vendit.
Ministria theksoi se pjesëmarrja në aktivitete të tilla ndërkombëtare kontribuon në afirmimin e të rinjve dhe promovimin e imazhit të Kosovës përmes artit dhe kulturës.

908 milionë euro të parapara për komunat në projektbuxhetin e vitit 2027
Dëshmitari në gjykatë: Pantiqi dhe Zariqi ishin të përfshirë në krimet në Istog
Koeficienti i pagave pritet të rritet në 120 euro nga korriku i vitit 2027, paralajmëron Kurti
Pantiqi merret në pyetje nga Prokuroria për rastin e Ukshin Hotit
Dogana e Kosovës arkëton 186.6 milionë euro të hyra gjatë tetorit
Pantiq e Zariq dalin para Gjykatës si të akuzuarve për krime lufte
Zbuten tensionet SHBA-Iran, çmimi i naftës bie 6.7 për qind