Prishtinë 2 Qershor 202614:33
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ditë më parë bëri të ditur se ka themeluar grupin punues i cili deri në fund të muajit korrik të këtij viti do të propozojë modalitetet e programit të pensionimit të parakohshëm në Policinë e Kosovës.
Sveçla tha se do të shqyrtohet mundësia e zbatimit gradual të programit, duke filluar nga mosha 63 vjeç dhe duke u ulur progresivisht deri në moshën 55 vjeç, në përputhje me kapacitetet financiare dhe nevojat institucionale.
Është Sindikata e Policisë, e cila e ka mirëpritur themelimin e këtij komisioni, marrë parasysh që kjo ka qenë kërkesë e kahmotshme e Sindikatës.
“Sindikata e Policisë do të jetë e përfshirë në komisionin e formuar nga Ministria e Punëve të Brendshme për ligjin e pensionimit në moshën 55 vjeçare, ku kemi edhe vendim me shkrim nga ministria për anëtarin e komisionit.”, ka thënë për IndeksOnline, kreu i Sindikatës së Policisë, Avdi Hoti.
Tutje, Hoti ka thënë se Sindikata e Policisë së Kosovës ka kërkuar pensionim të dinjitetshëm dhe, duke qenë pjesë e komisionit, do t’i paraqesë kërkesat tona.
“Mendojmë se ka kushte dhe po ashtu edhe buxheti mund të sigurohet; vetëm duhet të punohet në komision dhe sa më shpejt, menjëherë pas konsolidimit të parlamentit, draft-ligji të jetë gati për votim dhe hyrje në fuqi.”, theksoi ai.
Sipas tij, pensionimi në mmoshën 55 vjeçare mund të krijojë mungesa në staf dhe polici, porse me inkuadrimin e gjeneratave të reja që do të inkuadrohen do të ndikojë pozitivisht.
“Pensionimi në moshën 55 vjeçare mund të krijojë mungesa në staf dhe në polici, por mendojmë se do të kemi gjenerata të reja që do të inkuadrohen në Policinë e Kosovës, gjë që do të ndikojë pozitivisht, sidomos duke marrë parasysh se mosha mesatare aktualisht është rreth 47 vjeç.”, vlerësoi Hoti.
Hoti ka deklaruar se Sindikata do t’i marrë parasysh të gjithë faktorët dhe do t’i paraqesë me kohë propozimet e veta sa i përket ligjit.
Sipas tij, Sindikata veç ka filluar të konsultohet me të gjithë akterët që mund të kontribuojnë që të kemi një ligj të dinjitetshëm, të përshtatshëm me natyrën e punës së policisë dhe të ngjashëm me atë të FSK-së.
“Sindikata pret që grupi punues të fillojë punën sa më parë dhe të merren parasysh propozimet e Sindikatës, duke qenë se jemi pjesë e këtij komisioni, gjë që do ta lehtësojë paraqitjen e kërkesave tona.”, tha ai.
Hoti poashtu ka bërë me dije se si Sindikatë kanë përcjellë me shqetësim premtimet e partive politike sa i përket rritjes së pagave në Policisë e Kosovës.
“Sindikata e Policisë i ka përcjellë me shqetësim premtimet e akterëve politikë sa i përket rritjes së pagave në Policinë e Kosovës. Është absurde të premtohet një pagë të cilën një pjesë e policëve tashmë e gëzojnë. Ne kërkojmë rritje lineare të pagave për të gjithë punonjësit e Policisë së Kosovës dhe, për këtë vit, kërkojmë rritje prej 2 koeficientësh në mënyrë lineare, duke marrë parasysh edhe gjendjen e krijuar me rritjen e çmimeve në nivel vendi.”, theksoi Hoti.

Ministri i Financave, Murati, nënshkruan nismën për themelimin e Bankës Zhvillimore
Nga 9 qershori hyn në fuqi udhëzimi administrativ për lëshimin e Certifikatës së Kompetencës Profesionale
Haxhiu vlerëson mbështetjen e Gjermanisë për proceset evropiane të Kosovës
27 vjet nga vrasja e Sanije Rexhepit, vajza që mjekoi të plagosurit në luftë
Certifikata e origjinës “Made in Kosova” merr njohje ndërkombëtare
Hyn në fuqi Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor
Pensionimi në moshën 55-vjeçare, Sindikata e Policisë: Koha për trajtim dinjitoz të zyrtarëve policorë