Prishtinë, 2 qershor 2026 07:21
Komuna e Obiliqit ka nisur nga 1 qershori një fazë të re në menaxhimin e mbeturinave, duke marrë në kontroll të drejtpërdrejtë këtë shërbim përmes Ndërmarrjes Publike Lokale “Kastrioti”. Vendimi vjen pas ndërprerjes së operimit të KRM “Pastrimi” në këtë komunë, pas problemeve të vazhdueshme me grumbullimin e mbeturinave.
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka bërë të ditur se ndërmarrja lokale tashmë ka nisur punën në terren, me synimin që të sigurojë një shërbim më efikas dhe më të rregullt për qytetarët. Sipas tij, vendimi është marrë pas ankesave të shumta për mosgrumbullimin e mbeturinave dhe pas vështirësive me të cilat është përballur operatori i deritanishëm.
Thaçi ka theksuar se komuna ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore dhe institucionale për ta transferuar këtë përgjegjësi te NPL “Kastrioti”, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që pagesat për shërbimin e mbeturinave, nga 1 qershori e tutje, t’i kryejnë pranë ndërmarrjes lokale. Ai ka sqaruar se obligimet e mëhershme ndaj KRM “Pastrimi” mbeten në fuqi dhe duhet të shlyhen nga qytetarët që kanë borxhe të papaguara.
Sipas komunës, ndërmarrja lokale do të investojë në makineri dhe pajisje të reja, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve publike. Po ashtu, është paralajmëruar trajtim më i mirë për punëtorët që do të angazhohen në departamentin e ri për mbledhjen e mbeturinave.
NPL “Kastrioti”, e themeluar nga Komuna e Obiliqit si ndërmarrje publike lokale, ka qenë e angazhuar edhe më herët në mirëmbajtjen e hapësirave publike, pastrimin e rrugëve dhe shërbime të tjera komunale. Me marrjen e kompetencave për mbledhjen e mbeturinave, ajo tashmë do të ketë një rol më të zgjeruar në menaxhimin e pastërtisë në komunë.
Autoritetet komunale kanë bërë të ditur se nga tani përgjegjësia për funksionimin e këtij shërbimi bie drejtpërdrejt mbi institucionet lokale, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të kërkojnë llogari për cilësinë dhe rregullsinë e menaxhimit të mbeturinave në Obiliq.

Lista Serbe zvarrit zgjedhjen e nënkryetarëve shqiptarë në komunat veriore
Video-lajm: Vite të tëra pa përfunduar, objekti sportiv mbetet dëshmi e keqmenaxhimit nga Lista Serbe
Krasniqi kërkon nga tri komunat e veriut emërimin e nënkryetarëve për komunitete
Beton në vend të terrenit sportiv: Salla e papërfunduar që ngre pikëpyetje për premtimet e Listës Serbe
Ministria rrëzon kërkesën e Komunës së Mitrovicës së Veriut për heqjen e instalacionit “E dua Mitrovicën”
Video-lajm: Protuestuesit revoltohen para ndërtesës së EULEX-it
Rama reagon pas vendimit në Hagë: `MARRE`
Albulena Haxhiu porosi familjes së Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit: Kosova është me ju
Specialja dënon Kadri Veselin me 18 vjet burgim