Prishtinë, 31 maj 2026 12:16
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha.
Haxhiu, në fillim të takimit, i uroi Hoxhës detyrën e re dhe vlerësoi kontributin e tij të gjatë diplomatik në përfaqësimin e Shqipërisë në organizata dhe forume ndërkombëtare, duke thënë: “Ju keni qenë zëri i Kosovës kur Kosova nuk kishte zë”, njofton zyra për informim e Presidentes.
Në takim u diskutuan marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, koordinimi në politikën e jashtme dhe zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara mes dy vendeve. Haxhiu theksoi rëndësinë e afërsisë historike, gjuhësore dhe kombëtare si bazë për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe projekteve në interes të qytetarëve.
Bëhet e ditur se një pjesë e diskutimeve iu kushtua edhe rrugës evropiane dhe euroatlantike të Kosovës. Haxhiu kërkoi vazhdimin e mbështetjes së Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, marrjen e pyetësorit të Bashkimit Evropian, si dhe afrimin më të madh me NATO-n dhe Partneritetin për Paqe.
Në fund, ajo theksoi nevojën për koordinim të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në të gjitha forumet ndërkombëtare, në funksion të forcimit të pozitës së Kosovës dhe interesave të përbashkëta.

Kosova propozon marrëveshje me SHBA-në për të ardhmen e Bondsteelit
Dokumentacioni kadastral mbetet i pakthyer, Kurti: Serbia nuk e respektoi marrëveshjen
Konjufca: Sulmet në Banjskë dhe Ibër-Lepenc treguan kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës
Kuçi: Fushata elektorale në Serbi po normalizon ambientin politik armiqësor ndaj Kosovës
BE-ja miraton sanksione të reja ndaj Rusisë
Kurti: Partneriteti strategjik me SHBA-në mbetet prioritet i Kosovës
Operacion i Policisë në Fushë Kosovë pas kërcënimit me mjete shpërthyese
Të premten rivarrosen eshtrat e heroit të Kosovës, Idriz Rrecaj
Policia gjen armë, municion dhe pajisje ushtarake në veri të Kosovës