Prishtinë, 16 maj 2026 08:04
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në darkën solemne të organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare, ku para të pranishmëve ka prezantuar vizionin ekonomik dhe projektet strategjike të Kosovës për vitet e ardhshme.
Në fjalimin e tij, Kurti vlerësoi rolin e diasporës shqiptare në zhvillimin ekonomik të vendit, duke theksuar se mërgata nuk është më vetëm kontribuuese përmes remitencave, por po shndërrohet në faktor kyç të zhvillimit dhe investimeve.
“Ju jeni nga ajo gjeneratë e cila i njeh të dy botët. Keni ndërtuar një jetë në botën e jashtme, kryesisht në perëndim, në Gjermani, Zvicër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera. Keni mësuar gjuhën, jeni integruar dhe punoni sipas standardeve dhe disiplinës që ato shoqëri i kërkojnë. Dhe megjithëkëto, nuk keni harruar se nga keni ardhur”, tha Kurti.
Ai bëri të ditur se remitencat nga diaspora arrijnë rreth 1.5 miliardë euro në vit, që sipas tij përbëjnë përafërsisht 1/7 e Bruto Produktit Vendor të Kosovës.
Kurti theksoi se ekonomia e Kosovës po shënon rritje stabile prej rreth 4 për qind në vit, ndërsa eksportet dhe investimet e huaja direkte janë dyfishuar vitet e fundit. Ai përmendi si avantazh edhe sistemin fiskal të Kosovës, me tatim prej 10 për qind për korporatat dhe të ardhurat personale, si dhe mungesën e tatimit për dividendë, makineri prodhuese dhe eksport.
Duke folur për prioritetet e ardhshme, Kurti tha se fokusi kryesor do të jetë infrastruktura hekurudhore, ku përmendi katër projekte kryesore: hekurudhën Prishtinë-Durrës, korridorin hekurudhor nga Hani i Elezit deri në Leshak, lidhjen hekurudhore Prizren-Ferizaj-Gjilan-Bujanoc dhe linjën moderne që do ta lidhë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” me kryeqytetin.
Po ashtu, ai paralajmëroi investime në diga, stadiume, projekte turistike dhe në sektorin e mbrojtjes, ku sipas tij do të investohen rreth 1 miliard euro për ushtrinë dhe industrinë ushtarake, përfshirë prodhimin e municionit dhe dronëve.
Kurti njoftoi edhe për planet në sektorin energjetik dhe minerar, duke përmendur gasifikimin e linjitit dhe investimet në resurset minerare të Kosovës.
Një pjesë të rëndësishme të fjalimit ia kushtoi sektorit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, për të cilin tha se tashmë përbën 6 për qind të Bruto Produktit Vendor, me rreth 1,500 kompani dhe 20 mijë inxhinierë e zhvillues softuerësh.
Në fund, Kurti u bëri thirrje bizneseve të diasporës që të investojnë në Kosovë dhe të bëhen pjesë e zhvillimit ekonomik të vendit.
“Për dallim prej tri dekadave, ne nuk ju themi më bashkatdhetarëve sakrifikoni që të kontribuoni, por investoni që të përfitoni”, tha ai

Specialja i vazhdon paraburgimin Veselit dhe Krasniqit
Takim i madh i biznesit shqiptar në Prishtinë, Jusaj: Diaspora të investojë më shumë në Kosovë
Aeroporti me rritje të udhëtarëve gjatë marsit 2026
Policia Ushtarake ngrit kapacitetet operacionale
Kosova dhe Shqipëria intensifikojnë përgatitjet për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”
Ndërron jetë ish-ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi
Kurti: Diaspora po kalon nga remitencat te investimet
Marta Kos: Serbia nuk mund të ecë drejt BE-së pa zbardhur Banjskën
36 vende nënshkruajnë ngritjen e një Gjykate Speciale për të ndjekur penalisht Putinin
Fetoshi: Serbia kamuflohet me projektimin e ‘agresorit’ në Prishtinë