Prishtinë, 11 maj 2026 16:02
Punimet për objektin e ri të Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pritet të nisin shumë shpejt, duke rikthyer në funksion një projekt që kishte mbetur pezull për vite me radhë. Objekti i ri synon të rrisë kapacitetet për trajtimin e pacientëve dhe të lehtësojë mbingarkesën në Klinikën Emergjente aktuale, e cila përballet vazhdimisht me fluks të madh pacientësh.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se punimet për këtë projekt do të nisin së shpejti.
Sipas tij brenda 30 muajsh Kosova do ta ketë Klinikë Emergjente moderne me të gjitha shërbimet e nevojshme.
Sipas kontratës së nënshkruar nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, vlera totale e projektit arrin në 8 milionë e 106 mijë e 238 euro. Klinika e re do të ketë pesë kate, rreth 17 mijë e 500 metra katrorë hapësirë dhe mbi 200 shtretër për pacientë, investim që konsiderohet ndër më të mëdhenjtë në infrastrukturën shëndetësore publike në vend.
Punimet për këtë projekt kishin nisur fillimisht në vitin 2016, por u ndërprenë për shkak të zvarritjeve dhe problemeve procedurale. Pas përfundimit të procedurave të tenderimit, tashmë është nënshkruar kontrata për vazhdimin e ndërtimit të Klinikës së re Emergjente.
Objekti i ri pritet të ndikojë në përmirësimin e shërbimeve emergjente dhe krijimin e kushteve më të mira për trajtimin e pacientëve në nivel terciar shëndetësor.

Kurti nga Parisi për Gjykatën Speciale: Të bëhen të gjitha përpjekjet për apel
Policia e Kosovës paralajmëron për mashtrimet online: Kujdes nga vegëzat që kërkojnë të dhënat bankare
Ndalohen rreth 150 mijë lodra për fëmijë me origjinë nga Kina, nuk plotësonin standardet e sigurisë
Mungesa e gjuhës shqipe në Federatën e Gjahtarëve në Maqedoninë e Veriut, kërkohet ndërhyrje institucionale
Bizneset kosovare po zgjerojnë praninë e tyre në veri
Ramadani premton transparencë në hetimin për vrasjen e Arlinda Zekajt