Prishtinë 8 Maj 2026 12:41
Nostalgjinë për botimet e vjetra dhe për shumë libra të humbur nga bibliotekat personale po arrin ta shuajë për lexuesit edicioni i gjashtë i Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur në Prishtinë.
Berat Dakaj, organizator i këtij panairi që ka nisur dje dhe do të vazhdojë deri më 10 maj, tha se vit pas viti po ka rritje të numrit të librave të ekspozuara. Në “Mirëmëngjesi Kosovë” të RTK-së ai tha se fillimisht kishin nisur me 800 tituj, ndërkaq këtë vit shifra ka shkuar deri më 3 mijë tituj.
Ai shpjegoi se është dashur mund disa vjeçar për të grumbulluar librat e vjetër, të rrallë e të përdorur.
“Kemi mbledh libra, i kemi blerë gjithkund. Kemi marrë librat edhe pranë kontejnerëve në qeset e vendosura në tokë…kam blerë libra edhe nga individë që i kanë pasur bibliotekat personale dhe kanë dashur t’i heqin qoftë nga ndonjë aromë”, tha ai.
Dakaj shpjegoi se shumica e librave janë të fushës së letërsisë, duke mos lënë anash as pjesën shkencore e albanologjike.
“Në Panair do të ekspozojmë libra që janë në gjuhën shqipe nga viti 1902 e tutje. Kemi edhe libra në gjuhën angleze, gjermane që janë të vitit 1702 – 1744. Por për to interesim ka pak, vitin e kaluar kemi pasur një koleksion të autorëve klasicizmit francez, kanë ardhur disa franceze dhe i kanë blerë gjithë koleksionin”, tha Dakaj.
Ky Panair në esencë është përpjekje edhe për ruajtjen e memories kolektive, duke i sjellë shumë prej botimeve të “Rilindjes”.
“Nuk ka një numër të saktë të shkatërrimit të bibliotekave publike dhe personale. Kam bërë përpjekje nisjen e hartimit të një monografie sa biblioteka publike, personale janë shkatërruar gjatë luftës në Kosovë…Kur e organizuam edicionin e parë, vinin qytetarë dhe kur paraqisnim botime të ‘Rilindjes’, shumica e tyre kur shihnin librat në vitrinat e Panairit thonin që i kemi pasur të gjitha këto. Dikush i ka blerë me kredi, dikush me pagë. Ata thonin se na janë shkatërruar ose djegur bibliotekat gjatë luftës. Ka pasur disa të tjerë që i kanë shpëtuar”, tha ai.
Ngjarja organizohet nga ora 9:00-18:00, në tarracën e Institutit Albanologjik. Përveç ekspozimit të 3 mijë titujve, Panairi po sjellë edhe promovime të librave të autorëve shqiptarë, lexime poetike e donacione me libra për bibliotekat shkollore nga botues të Kosovës.

“Dalja n’dritë” me minatorët që shkundën themelet e ish-Jugosllavisë
Kurti: Diversiteti kulturor, një nga pasuritë e mëdha të Kosovës
“Unë jam Majlinda Kelmendi”- libri që bëri bujë në panair
Artistja Hamiti përfaqëson Kosovën në Manifesta 16 në Gjermani
Ekspozita “Sy me sy” rrëfen plagët e luftës
Kosova në Berlin: Ekspozita “28 Minuta” nderon rolin e Gjermanisë në vitin 1999
Kryediplomati kroat: Kroacia vazhdon mbështetjen ndaj Kosovës
Mitrovica funksionalizon shërbimin për ndërhyrje të vogla kirurgjike në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare
Dogana e Kosovës pjesë e forumit më të lartë vendimmarrës të Organizatës Botërore të Doganave
Instituti i Shëndetësisë Publike apelon për kujdes shkaku i temperaturave të larta gjatë fundjavës