Prishtinë 2 Maj 2026 12:05
Dëgjova që Kosova po përballet me fushata intensive të dezinformimit që vijnë nga jashtë, thotë gazetari dhe eksperti i komunikimit strategjik, Markku Mantila.
Sipas tij, dezinformimi po bëhet një nga sfidat më serioze për funksionimin e demokracive moderne, sidomos në një kohë kur zhvillimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale e ka bërë më të lehtë krijimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve të rreme.
Mantila, i cili ishte javën e parë në një konferencë në Prishtinë, ku u fol për perspektivat nordike mbi luftën kundër dezinformimit dhe forcimin e rezistencës shoqërore, thotë për KosovaPress, se informacioni i rremë ka ndikim të madh në shoqëri.
“Nuk jam ekspert për situatën në Kosovë, por nga ajo që dëgjova në konferencë, kuptoj që ka fushata shumë intensive dezinformimi që vijnë nga jashtë drejt Kosovës… Qeveria nuk mund t’u thotë qytetarëve çfarë lajmesh të lexojnë apo çfarë është e mirë për t’u ndjekur. Por nga ana tjetër, është përgjegjësi e saj të sigurojë që qytetarët të jenë të sigurt, përfshirë edhe nga dezinformimi. Prandaj, hapi i parë është të ndërgjegjësohet publiku se ekziston një problem i quajtur dezinformim, por pa diktuar se çfarë duhet të shohin apo lexojnë njerëzit”, thotë ai.
Sipas tij, dezinformimi sot po ndikon edhe në funksionimin e demokracisë.
“Në përgjithësi, kjo ndryshon shumë nëse e shikon botën në tërësi. Në Evropë, duke iu referuar Bashkimit Evropian, demokracitë janë në vend dhe po funksionojnë mjaft mirë, por ka disa shenja që situata mund të përkeqësohet. Si shembull, Rusia si fqinj lindor është në gjendje shumë të keqe në këtë aspekt; atje nuk ka pasur demokraci për vite dhe në fakt është tashmë një diktaturë”, thekson ai.
Eksperti finlandez deklaron se një nga sfidat më të mëdha mbetet dallimi mes informacionit të saktë dhe dezinformimit, pasi, siç thotë, po bëhet gjithnjë e më e vështirë për shkak të përdorimit të inteligjencës artificiale, e cila mundëson krijimin e lajmeve të rreme në mënyrë të shpejtë, të lirë dhe të sofistikuar.
Megjithatë, ai nënvizon se edukimi dhe informimi mbeten mbrojtja më e fortë ndaj manipulimit.
“Po bëhet gjithnjë e më e vështirë dita-ditës, kryesisht për shkak të teknologjisë. Inteligjenca artificiale është një mjet i mirë për të falsifikuar informacion, për të krijuar përmbajtje të rreme dhe për të shpërndarë lajme të rreme. Është e lirë, e lehtë për t’u përdorur dhe mund të përdoret edhe nga të rinjtë. Kjo është ana e keqe e teknologjisë… Nëse je i arsimuar mirë dhe ndjek burime të shumta lajmesh, është shumë e vështirë të mashtrohesh. Njerëzit me nivel të lartë edukimi dhe njohurish janë imunë dhe shumë rezistentë ndaj dezinformimit.”, tha ai.
Sa i përket mundësisë për ta kufizuar dezinformimin në rrjetet sociale, Mantila është skeptik. Ai thekson se në shoqëritë demokratike ekziston liria e shprehjes dhe e informimit, çka e bën të vështirë ndalimin e plotë të përmbajtjeve të rreme. Në vend të kësaj, ai sugjeron forcimin e rezistencës së shoqërisë përmes edukimit dhe ndërgjegjësimit.
“Duhet, por është e pamundur në praktikë. Së pari, shtetet perëndimore kanë liri; [njerëzit] kanë të drejtë të lexojnë çfarë dëshirojnë, kanë të drejta të gjera për të shpërndarë çdo lloj informacioni, edhe pse keqinformimi nuk është automatikisht kundër ligjit. Në praktikë, ajo që mund të bëjmë nuk është ndalimi i krijimit apo shpërndarjes së dezinformimit, por të qenit rezilient”, përfundon ai.

Organizata terroriste “Brigada e Veriut” kërcënon me jetë zyrtarët e institucioneve shtetërore të Kosovës
Maqedonci: Qytetarët të ndihen të sigurt, FSK-ja çdo ditë e më e fortë
Objekte të reja në tri kazerma, FSK-ja avancon kapacitetet infrastrukturore me investime milionëshe
FSK-së i shtohen 10 oficerë të rinj, Maqedonci: Bashkëpunimi me Shqipërinë po forcohet
Arrestohen katër persona në aksionin e Policisë dhe AKI-së, reagon Sveçla: Askush s’është mbi ligjin
Elshani: Kthimi në punë i policëve të dorëhequr, është i pamundur
Serbia arreston një person për zbulim të informatave për varreza masive, Hoti: E vërteta nuk fshihet
Më 6 gusht pritet konstituimi i Kuvendit, partitë shpalosin qëndrimet pas takimit me Haxhiun
Dame Karen Pierce: Ngjarjet tragjike në Kosovë janë ndër periudhat më të errëta në histori të Evropës
Vdiq legjenda e Milanit, Franco Baresi