Prishtinë 1 Maj 2026 13:58
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka nderuar punëtorët me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, duke theksuar nevojën për më shumë vlerësim dhe njohje të punës në të gjitha format e saj.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu është shprehur se 1 Maji nuk duhet të jetë vetëm një ditë reflektimi për vendin e punës, por edhe për kontributin që jepet brenda familjes, veçanërisht nga gratë.
“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, nuk mjafton të shohim vetëm vendin e punës. Duhet ta shohim edhe shtëpinë. Aty ku shumë gra e nisin ditën para se të zgjohen të gjithë dhe e mbyllin pasi të kenë fjetur të gjithë. Aty ku kujdesi për fëmijët, për të moshuarit, për të sëmurët, për ushqimin, për rrobat, për rendin e familjes, vazhdon të merret si detyrë e natyrshme. Por nuk është e natyrshme. Është angazhim, përkushtim, kohë dhe, mbi të gjitha, është punë që as paguhet e as njihet sa duhet”, ka shkruar ajo.
Në mesazhin e saj, Haxhiu bëri thirrje që në këtë 1 Maj të vlerësohen të gjithë punëtorët, si ata që punojnë në sektorë të ndryshëm si ndërtimi, bujqësia, administrata apo tregtia, ashtu edhe ata që kontribuojnë brenda shtëpisë pa pagesë.
“Në këtë 1 maj, duhet ta shohim punën në tërësinë e saj dhe t’u japim vendin që u takon punëtoreve dhe punëtorëve të Kosovës. Atyre që dalin herët për ta fituar bukën me djersë, në kantier, në fabrikë, në arë, në zyrë, në dyqan, në rrugë a në mërgatë, por edhe atyre që e vazhdojnë punën brenda shtëpisë, shpesh pa pagë, pa orar dhe pa njohjen që meritojnë.
Sot nderojmë punëtorët dhe punëtoret që, me mund, përgjegjësi e dinjitet, e mbajnë familjen, shoqërinë dhe Kosovën në këmbë”, ka përfunduar Haxhiu.

908 milionë euro të parapara për komunat në projektbuxhetin e vitit 2027
Dëshmitari në gjykatë: Pantiqi dhe Zariqi ishin të përfshirë në krimet në Istog
Koeficienti i pagave pritet të rritet në 120 euro nga korriku i vitit 2027, paralajmëron Kurti
Pantiqi merret në pyetje nga Prokuroria për rastin e Ukshin Hotit
Dogana e Kosovës arkëton 186.6 milionë euro të hyra gjatë tetorit
Pantiq e Zariq dalin para Gjykatës si të akuzuarve për krime lufte
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës zhvillojnë aksion në disa lokacione
Kosova përfaqësohet në takimin evropian të rrjeteve të ansambleve muzikore në Itali
Zbuten tensionet SHBA-Iran, çmimi i naftës bie 6.7 për qind