Prishtinë. 27 prill 2026 08:29
Sot, më 27 prill, në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur në Kosovë rikthehet në vëmendje një nga plagët më të rënda të pasluftës, që vazhdon të mbetet e pambyllur për mijëra familje shqiptare. Kjo ditë përkujton viktimat e zhdukjes me dhunë gjatë luftës së viteve 1998–1999, por mbi të gjitha ekspozon dështimin e vazhdueshëm për zbardhjen e fatit të tyre.
Sipas të dhënave zyrtare, mbi 1,600 persona ende konsiderohen të zhdukur nga lufta në Kosovë, një shifër që mbetet pothuajse e pandryshuar ndër vite, pavarësisht përpjekjeve institucionale dhe ndërkombëtare.
Kjo realitet i hidhur nuk është thjesht pasojë e kohës, por lidhet drejtpërdrejt me mungesën e vullnetit politik nga Serbia për të zbardhur krimet e së kaluarës. Edhe pse janë gjetur varreza masive brenda territorit të Serbisë, autoritetet serbe vazhdojnë të refuzojnë hapjen e plotë të arkivave dhe ofrimin e informacioneve kyçe për vendndodhjen e trupave të zhdukur.
Në raportimet e fundit, familjarët e personave të zhdukur po shqyrtojnë edhe rrugën e drejtësisë ndërkombëtare, si një përpjekje e fundit për të kërkuar llogari nga shteti serb. Kjo vjen si pasojë e një bllokade të vazhdueshme dhe një qasje që shihet si e qëllimshme për të zvarritur procesin dhe për të shmangur përgjegjësinë.
Përkundër marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi, përfshirë edhe Deklaratën për Personat e Zhdukur, në praktikë nuk ka pasur progres real. Institucionet kosovare dhe organizatat ndërkombëtare kanë theksuar vazhdimisht se mosbashkëpunimi i Serbisë dhe refuzimi për qasje në dokumente dhe lokacione të dyshuara mbetet pengesa kryesore në zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
Në këtë ditë përkujtimore, dhimbja e familjarëve është po aq e freskët sa para 25 vjetësh. Ata nuk kërkojnë më shumë se të drejtën elementare për të ditur të vërtetën, një e drejtë që vazhdon t’u mohohet.
Ndërkohë, përgjegjësia historike dhe morale rëndon mbi Serbinë, e cila, për sa kohë nuk përballet me të kaluarën dhe nuk hap arkivat e saj, mbetet pengesa kryesore për drejtësinë dhe pajtimin në rajon.
Në vend të transparencës, vazhdon heshtja, dhe kjo heshtje është po aq e rëndë sa vetë krimi.

Mjeku që shërbeu në luftë, pas 27 vitesh identifikohet përmes ADN-së
Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Kurti: Shëndeti mendor i fëmijëve të jetë pjesë e politikave shtetërore
Operacion i madh kundër narkotikëve, pesë të arrestuar dhe heroinë mbi gjysmë milioni euro
Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës