Prishtinë, 26 prill 2026 18:02
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se ushtarakët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) po vazhdojnë të shënojnë suksese të rëndësishme në akademitë ushtarake të vendeve partnere të NATO-s, duke dëshmuar nivel të lartë profesionalizmi dhe përgatitjeje.
Sipas njoftimit, gjatë muajit prill dy oficerë të FSK-së kanë diplomuar me sukses në dy nga shtetet më të fuqishme aleate – në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në Britani të Madhe, nëntoger Endi Sherifi ka përfunduar me sukses një nga trajnimet më sfiduese të këmbësorisë, kursin për komandant toge (Platoon Commander Battle Course – PCBC) në Brecon të Uellsit. Për performancën e tij të dalluar, ai është vlerësuar me Mirënjohje të Veçantë nga Komandanti i Shkollës së Këmbësorisë.
Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara, oficerja Ermonda Meshi ka diplomuar në kursin bazë për oficerë të fushës së administrimit ushtarak (AGBOLC), një program i avancuar që përgatit kuadro për menaxhimin e personelit dhe mbështetjen administrative në operacione ushtarake. Për suksesin e saj, ajo është nderuar me medaljen “United States Diplomatic Medal”.
Ministri Maqedonci ka theksuar se këto arritje janë rezultat i përkushtimit individual të ushtarakëve, por edhe i investimeve të vazhdueshme të Ministrisë së Mbrojtjes në edukimin dhe zhvillimin profesional të tyre.
“Duke zgjeruar mundësitë për shkollim dhe specializim në akademitë më prestigjioze të vendeve partnere, po ndërtojmë një ushtri më profesionale dhe të aftë për t’u përballur me sfidat sipas standardeve të NATO-s”, thuhet në njoftim.
Ai ka shtuar se sukseset e ushtarakëve të FSK-së përfaqësojnë jo vetëm arritje personale, por edhe sukses të shtetit të Kosovës dhe të rrugëtimit të tij drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse.
Ministria e Mbrojtjes ka ritheksuar se do të vazhdojë të mbështesë ngritjen profesionale të pjesëtarëve të FSK-së, me synim rritjen e ndërveprueshmërisë me forcat aleate dhe avancimin e mëtejmë të standardeve ushtarake.

Nisin hetimet në Serbi për lirimin e Radoiçiqit pas sulmit në Banjskë
FSK-së i shtohen 12 kamionë ushtarakë, dhjetëra të tjerë priten më 2027
Kosova gati për Gazën, FSK-ja pret thirrjen për dislokim
209 rekrutë të rinj nisin stërvitjen ushtarake në FSK
FSK-ja avancon përgatitjen ushtarake përmes bashkëpunimit ndërkombëtar
Maqedonci: Gjatë pesë viteve u rekrutuan 3,220 ushtarë të rinj në FSK
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj
As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit