Prishtinë, 26 prill 2026
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka ndërmarrë hapa konkretë drejt përfshirjes në një mision ndërkombëtar paqeruajtës në Gaza, duke dërguar një ekip paraprak për vlerësimin e situatës në terren.
Me urdhër të komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ekipi ka udhëtuar drejt Gazës për të realizuar rikonicionin e zonës ku pritet të operojë kontingjenti kosovar. Qëllimi i kësaj vizite është vlerësimi fillestar i kushteve dhe koordinimi i aktiviteteve të nevojshme për dislokimin e trupave.
Sipas njoftimit, gjatë qëndrimit në terren, FSK ka zhvilluar takime me autoritete përgjegjëse për administrimin e Gazës, si dhe me përfaqësues të mekanizmave ndërkombëtarë të koordinimit. Në fokus të diskutimeve kanë qenë integrimi i kontingjentit të FSK-së në mision, zhvillimi i operacioneve të përbashkëta dhe organizimi i mbështetjes logjistike.
Po ashtu, janë zhvilluar takime me përfaqësues të Qendrës Koordinuese Civilo-Ushtarake (CMCC), e cila vepron nën mbikëqyrjen e Bordit të Paqes, në përputhje me Rezolutën 2803 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Përfshirja e FSK-së në këtë mision konsiderohet si një hap i rëndësishëm në rritjen e rolit ndërkombëtar të Kosovës në fushën e sigurisë dhe paqeruajtjes.
Nga FSK theksojnë se mbeten të përkushtuar për të kontribuar në paqe dhe stabilitet global, në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke synuar forcimin e partneriteteve strategjike dhe promovimin e sigurisë kolektive në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Nisin hetimet në Serbi për lirimin e Radoiçiqit pas sulmit në Banjskë
FSK-së i shtohen 12 kamionë ushtarakë, dhjetëra të tjerë priten më 2027
Kosova gati për Gazën, FSK-ja pret thirrjen për dislokim
209 rekrutë të rinj nisin stërvitjen ushtarake në FSK
FSK-ja avancon përgatitjen ushtarake përmes bashkëpunimit ndërkombëtar
Maqedonci: Gjatë pesë viteve u rekrutuan 3,220 ushtarë të rinj në FSK
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj
As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit