Prishtinë 23 Prill 2026. 8:10
Prishtinë – Në seancën e së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dhënë fjala përfundimtare nga prokurori Ilir Morina në gjykimin për krime lufte ndaj të akuzuarit Ekrem Bajroviq. Prokurori Morina kërkoi dënimin e të akuzuarit Bajroviq.
Prokurori Morina fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim për gjykatën dhe mbrojtjen e të akuzuarit Bajroviq, ndërsa e elaboroi shkurtimisht, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori special fjalën përfundimtare e nisi duke deklaruar se qëndron pranë aktakuzës, duke theksuar se me dëgjimin e dëshmitarëve në këtë shqyrtim u provuan veprimet e tani të akuzuarit Bajroviq.
Lidhur me dëshmitë para trupit gjykues, prokurori Morina tha se këta dëshmitarë treguan rrethanat e vrasjeve masive të civilëve shqiptarë, dëbimin dhe djegien e pasurisë së tyre, ngjarje që i dëgjuan dhe i panë.
Prokurori Morina tha se i akuzuari Bajroviq ishte prezent në vendin ku u rrahën, u plaçkitën dhe u vranë 16 burra.
“Në atë skenë i pandehuri ishte aty, ishte i armatosur, ishte i uniformuar, ishte aktiv, jo spektator, jo kalimtar i rastit”, tha Morina.
Të ngjajshme
22 Pri, 2026, 20:34
Mbrojtësja e viktimave, Llucia Shahini, në fjalën përfundimtare deklaroi se pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe rrethanave të rastit mbetet e pakontestueshme se veprimet e të akuzuarit Bajroviq përbëjnë krime të rënda kundër popullsisë civile.
“Kërkojmë nga gjykata që të japë mesazh të qartë se krimet e luftës nuk harrohen dhe nuk mbeten të pandëshkuara, pavarësisht sa kohë ka kaluar, edhe pse drejtësia për viktimat është vonuar më shumë se dy dekada, por drejtësia e vonuar nuk është drejtësi e harruar”, tha Shahini.
Ndërsa, edhe të dëmtuarit prezent në këtë seancë të fjalës përfundimtare, Beqir Zogaj, Agron Zogaj, Ylber Lipa, Rizah Mavraj dhe Mana Ademaj, deklaruan se e mbështesin fjalën përfundimtare të dhënë nga prokurori Morina.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të ngritur më 15 shtator 2023, Ekrem Bajroviq akuzohet se gjatë viteve 1998-1999 ka kryer krime lufte kundër popullsisë civile në Komunën e Istogut dhe fshatrat përreth.
Bajroviq akuzohet se, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe depërtimit të popullsisë civile, plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar. Aktakuzën e plotë mund ta lexoni KËTU.

908 milionë euro të parapara për komunat në projektbuxhetin e vitit 2027
Dëshmitari në gjykatë: Pantiqi dhe Zariqi ishin të përfshirë në krimet në Istog
Koeficienti i pagave pritet të rritet në 120 euro nga korriku i vitit 2027, paralajmëron Kurti
Pantiqi merret në pyetje nga Prokuroria për rastin e Ukshin Hotit
Dogana e Kosovës arkëton 186.6 milionë euro të hyra gjatë tetorit
Pantiq e Zariq dalin para Gjykatës si të akuzuarve për krime lufte
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës zhvillojnë aksion në disa lokacione
Kosova përfaqësohet në takimin evropian të rrjeteve të ansambleve muzikore në Itali
Zbuten tensionet SHBA-Iran, çmimi i naftës bie 6.7 për qind