Prishtinë, 09.04.2026 11:39
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se si sot, 27 vjet më parë, filluan luftimet e betejës së Koshares, me qëllim shembjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, që prej dekadash i ndante dhunshëm shqiptarët mes tyre.
“Më 9 prill 1999, në mëngjes herët, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mësyen mbi pozicionet ushtarake të Serbisë në brezin kufitar mes Republikës së Shqipërisë dhe Jugosllavisë, duke sulmuar mbi bazën “7 korriku”, rrasën e Koshares dhe majen Gllava. Nga ajo ditë, deri më 10 qershor, për dy muaj të plotë rresht, mijëra pjesëtarë të UÇK-së do të përfshiheshin në luftimet e betejës së Koshares, në një territor të shtrirë prej disa kilometrash dhe në një reliev të thyer malor e kodrinor”, tha Kurti.
Sipas tij, beteja e Koshares nisi dy javë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi dhe vazhdoi deri në ditën e fundit të kësaj fushate. Gjatë atyre ditëve, një ushtri çlirimtare dhe gjithëkombëtare vullnetarësh siç ishte UÇK-ja, u kthye në një aleate të aleancës më të madhe ushtarake të botës, NATO-s, që së bashku i ndaluan fushatat e spastrimit etnik dhe të gjenocidit që Jugosllavia e Serbisë së Millosheviqit po i kryente ndaj shqiptarëve të Kosovës.
“Ndër luftime të ashpra gjatë betejës së Koshares, 114 luftëtarë të UÇK-së ranë dëshmorë duke luftuar për çlirimin e Kosovës, teksa mbi 400 të tjerë u plagosën. Në anën kundërshtare, pala serbe asnjëherë nuk do t’i publikonte të plota të dhënat e humbjeve të turpshme prej kësaj beteje, por mbi 100 pjesëtarë të ushtrisë jugosllave mbetën të vrarë kurse shumëfishi i numrit të tyre u plagosën. Çdo pranverë, i kujtojmë me mirënjohje dhe nderime të gjithë luftëtarët e UÇK-së që morën pjesë me guxim në betejën e Koshares, duke dhënë djersë, mund dhe gjak për atdheun tonë dhe lirinë e popullit. Lavdi u qoftë dëshmorëve të rënë në betejën e Koshares, sot e përmot”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Në mesin e 23 të zhvarrosurve në Zubin Potok konfirmohen edhe veprimtarët e çështjes kombëtare Adem Beqiri dhe Idriz Rrreci
Shënohen dy viktima dhe shtatë të infektuar nga virusi i Nilit Perëndimor në Kosovë
Identifikohen tri viktima nga varrezat në Zubin-Potok, i përkasin “Grupit të Intelektualëve”
Reagojnë familjarët e viktimave të luftës
Paraqiten katër kërkesa në protestën e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së
Nis protesta në sheshin e Prishtinës, në mbështetje të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Jashari kërkon anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kartën e Adriatikut A5